Duke shprehur ngushëllim mbi rastin tragjik në të cilin nënа dhe fëmija i saj humbën jetën, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë tha se duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe parimin e kujdesit të duhur, zbatoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe të paanshëm të gjendjes faktike dhe mënyrës së veprimit të institucionit. Nga kjo Ministri shtojnë se mbikëqyrja inspektuese është në vijim, ndërsa pas përfundimit të saj shtojnë se do ta informojnë në mënyrë transparente opinionin për gjetjet dhe masat e mëtejshme, transmeton Portalb.mk.
“Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër më 07.10.2025, me kërkesë të Gjykatës Themelore Civile për veprim sipas padisë së paraqitur për shkurorëzim. Sa i përket dhunës së raportuar, shkresë nga Ministria e Punëve të Brendshme është pranuar dhe protokolluar në Qendër më 02.02.2026, e cila i referohet një ngjarjeje të ndodhur më 19.12.2025, për kundërvajtje të kryer kundër rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht sulm fizik nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes”, thonë nga MPSDR.
Ata shtojnë se çdo lëshim i mundshëm, mosveprim në kohë apo mosrespektim i detyrimeve ligjore duhet të përcaktohet plotësisht dhe përgjegjësia duhet të mbahet në përputhje me ligjin.
“Mbrojtja e viktimave të dhunës dhe parandalimi i dhunës në familje janë prioritet i lartë dhe nuk do të lejojmë që dobësitë institucionale të mbeten të paadresuara. Ministria do ta ndjekë me kujdes rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për të siguruar përgjegjësi të plotë dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes”, thuhet në reagimin e MPSDR-së.
Ndryshe, Prokuroria njoftoi se një person është ndaluar në stacion policor dhe, me urdhër të prokurorit publik, po ndërmerren veprime për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale për rastin e djeshëm në Karposh, kur një nënë dhe fëmija vdiqën nga rënia nga një ndërtesë shumëkatëshe.
Ata shtojnë se dje u urdhërua edhe autopsi e të ndjerës.
Lidhur me procedurat e mëparshme, prokurori publik kërkoi raportim të detajuar nga Ministria e Brendshme dhe Qendra për Punë Sociale me të gjitha raportet dhe ankesat e mundshme të mëparshme nga pala e dëmtuar, dhe gjithashtu do të urdhërojë kontrollin e brendshëm të Ministrisë së Brendshme të hetojë procedurat pas këtyre raporteve.
Dëshmitarë okularë dhe fqinjë nga ndërtesa ku jetonte gruaja për disa media thanë se ajo është abuzuar nga bashkëshorti i saj, por autoritetet nuk e mbrojtën. Ndërkohë, vëllai i të ndjerës, Aleksandar Stojanoski, vdekjen e motrës dhe foshnjës së saj e cilësoi si vrasje.



