Bankat në Maqedoninë e Veriut duhet të përdorin gjuhën shqipe. Kjo është përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë ndaj kërkesës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve nëse bankat duhet të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve përcakton se gjuhë zyrtare, përveç gjuhës dhe shkrimit maqedonas, është gjuha dhe shkrimi që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe duhet të përdoret nga bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së dispozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Kujtojmë se qëndrimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës është se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.