Minçev i prezantoi reformat: Pagat në administratë do të rriten për 40 për qind, ushtrues detyre më vetëm gjashtë muaj

Advertisement

Shkup, 1 korrik – Administrata publike nuk ndryshohet me paralajmërime, por me zgjidhje konkrete, ndryshime sistemike dhe punë në terren. Pas dy vjetësh punë, ministri për administratën publike, Goran Minçev, i prezantoi rezultatet e procesit reformues të drejtuar drejt krijimit të një administrate profesionale, efikase dhe moderne, e cila do të jetë më afër qytetarëve dhe më e përgatitur për t’iu përgjigjur nevojave të tyre.

„Nuk kemi premtuar reforma, por kemi punuar për zbatimin e tyre. Nuk jemi udhëhequr nga zgjidhje afatshkurtra, por nga nevoja për të vendosur themele të qëndrueshme të një sistemi që për vite me radhë përballej me vonesa dhe procese të papërfunduara“, theksoi ministri Minçev, duke vënë në dukje se një nga rezultatet më të rëndësishme është miratimi i tre ligjeve sistemike në fushën e administratës publike: Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë.

Veçanërisht i rëndësishëm është segmenti i reformave që lidhet me përmirësimin e statusit të nëpunësve administrativë. Në dialog partneriteti me sindikatat është arritur marrëveshje historike përmes kontratave kolektive, me të cilën sigurohet rritje e vazhdueshme e pagave të nëpunësve administrativë për 40 për qind deri në vitin 2028. „Reforma e administratës publike nuk mund të jetë e suksesshme pa kujdesin ndaj njerëzve që e mbajnë punën e institucioneve çdo ditë“, theksoi Minçev.

Një hap i rëndësishëm drejt profesionalizimit të menaxhimit është miratimi i Ligjit për drejtuesit e lartë, me të cilin për herë të parë vendoset sistem unik për zgjedhjen dhe menaxhimin e pozicioneve më të larta drejtuese në administratën shtetërore. Modeli i ri parashikon shpallje publike, verifikim të kushteve, renditje dhe zgjedhje të kandidatëve më të mirë, me ç’rast pozicionet e larta lidhen me njohuri, kompetencë, përvojë profesionale dhe integritet. Ligji përfshin sekretarët shtetërorë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët në institucionet ku është paraparë, dhe fut mekanizma për monitorimin e punës së tyre dhe përgjegjësinë për rezultatet. Për më tepër, me kufizimin e mandateve V.D. në gjashtë muaj dhe uljen e numrit të anëtarëve të bordeve drejtuese në tre anëtarë, krijohet më shumë stabilitet, efikasitet dhe përdorim racional i mjeteve publike.

Paralelisht me ndryshimet ligjore, është themeluar Akademia për administratën publike si sistem i ri për zhvillimin e njohurive, kompetencave dhe potencialit profesional të nëpunësve administrativë. Me modernizimin e Qendrës së Trajnimit në Aerodrom, realizimin e trajnimeve për më shumë se 1.000 nëpunës administrativë në gjithë vendin dhe zhvillimin e sistemit elektronik të të mësuarit LMS, vendosen themele për administratë ku mësimi dhe zhvillimi profesional do të jenë pjesë përbërëse e karrierës. „Akademinë nuk e shohim vetëm si institucion të ri, por si investim në njerëzit dhe motor të administratës moderne“, theksoi ministri.

Gjatë periudhës së kaluar janë realizuar edhe procese të tjera të rëndësishme, përmirësimi i sistemit informativ për menaxhimin e burimeve njerëzore – ISUÇR, vendosja e mekanizmave për monitorimin e Strategjisë për reformën e administratës publike, reforma e sistemit inspektues, si dhe përmirësimi i proceseve për menaxhimin e cilësisë në institucione. Ministria ka vazhduar edhe me aktivitetet në kuadër të Partneritetit për qeverisje të hapur, përmes të cilit forcohet transparenca, llogaridhënia dhe pjesëmarrja e qytetarëve në krijimin e politikave publike, ndërsa paralelisht është avancuar procesi i vlerësimit të ndikimit të rregullativës (PVR) përmes më shumë transparencës, konsultimeve publike dhe planifikimit më të mirë të zgjidhjeve ligjore.

Me të gjitha këto aktivitete, Ministria për administratën publike në dy vitet e kaluara ka bërë hapa të rëndësishëm në vendosjen e një kornize të re për funksionimin e administratës publike. Këto procese përbëjnë bazë të fortë për administratë që do të ndërtohet mbi njohuri, kompetencë dhe përgjegjësi, me qëllim përfundimtar që qytetarët të marrin institucione më efikase dhe shërbime më të mira. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit