Mihailov: Dëmet nga zjarret deri më tani tejkalojnë 4 milionë euro

Advertisement

Mihailov: Dëmet nga zjarret deri më tani tejkalojnë 4 milionë euro

Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” deri më tani ka regjistruar 138 zjarre pyjore, ndërsa sipas vlerësimeve fillestare, deri në fund të muajit korrik, dëmet kanë tejkaluar shumën prej katër milionë eurosh. Zëvendësdrejtori i ndërmarrjes, Kire Mihailov, thotë se, megjithëse flakët kanë përfshirë qindra hektarë pyje, numri i zjarreve është brenda mesatares së viteve të kaluara.

“Deri në fund të muajit korrik, dëmet arrijnë në rreth 4 milionë euro. Ky është një dëm i madh, por, krahasuar me atë që kemi pasur gjatë viteve të kaluara, konsideroj se është relativisht i vogël”, deklaroi Mihailov.

Ai rikujtoi se gjatë vitit 2024 dëmet e shkaktuara nga zjarret pyjore kishin tejkaluar 83 milionë euro, ndërsa viti 2025 ishte mbyllur me më shumë se 50 milionë euro dëme. Ndërkaq, numri më i madh i zjarreve pyjore ishte regjistruar në vitin 2007, kur kishin shpërthyer plot 652 zjarre.

Pas përfundimit të sezonit veror, ekipet e “Pyjeve Kombëtare” do të hyjnë në zonat e djegura për të bërë një vlerësim të hollësishëm të gjendjes. Do të përcaktohet se në cilat zona nevojitet pastrimi i masës drusore të djegur dhe ku pylli ka potencial për t’u rigjeneruar në mënyrë natyrore.

Mihailov sqaron se sipërfaqja e përfshirë nga zjarri nuk nënkupton automatikisht se i gjithë pylli në atë zonë është shkatërruar.

“Pavarësisht madhësisë së sipërfaqes që përfshihet nga secili zjarr, kjo nuk do të thotë se e gjithë ajo sipërfaqe është shkatërruar plotësisht. Në disa vende zjarri nuk e ka prekur fare pyllin, në disa vende ka qenë zjarr sipërfaqësor, ndërsa diku është djegur vetëm bari. Nëse trungu ose kurora e pemës nuk janë prekur fare nga flakët, atëherë ai pyll mund të rigjenerohet shumë lehtë në mënyrë natyrore”, tha Mihailov.

Sipas tij, një pjesë e zjarreve janë shkaktuar qëllimisht, por ka edhe raste të shkaktuara nga pakujdesia. Si shembull, ai përmendi zjarrin pranë fshatit Bigla, në Komunën e Dellçevës, ku janë djegur më shumë se 200 hektarë pyje.

Mihailov vlerëson se dënimet me burg kanë një efekt të caktuar ndaj personave që shkaktojnë zjarre qëllimisht. Megjithatë, ai thekson se nevojitet edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për pasojat e zjarreve pyjore. Përveç shkatërrimit të fondit pyjor, zjarret kontribuojnë edhe në ndotjen e ajrit, gjë që, sipas tij, këtë vit e kanë ndier edhe banorët e Shkupit. / Aktuale.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit