Microsoft: Hakerët rusë po tentojnë të hyjnë brenda sistemit të sigurisë kombëtare të SHBA-së

Kompania teknologjike “Microsoft” ka thënë të premten se hakerët e lidhur me inteligjencën e jashtme të Rusisë po përpiqen të hyjnë sërish në sistemet e saj, duke përdorur të dhëna të vjedhura nga emailet e korporatave në janar në mënyrë që të fitojnë qasje të re në gjigantin e teknologjisë dhe në produktet që përdoren në të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportoi të hënën Reuters.

Disa analistë kanë përmendur shqetësimet për sigurinë e sistemeve dhe shërbimeve në “Microsoft”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të softuerëve në botë që ofron shërbime dhe infrastrukturë digjitale për qeverinë e SHBA-së.

Ata kanë shprehur shqetësime për rreziqet e sigurisë kombëtare.

“Microsofti” ka thënë se një grup i sponsorizuar nga shteti rus i quajtur Midnight Blizzard, ose Nobelium, qëndron pas ndërhyrjeve.

“Microsoft” zbuloi shkeljen në janar, duke thënë se hakerët kanë tentuar të depërtojnë në llogaritë e emailit të korporatave, duke përfshirë ato të drejtuesve të lartë të kompanive, si dhe sigurinë kibernetike dhe funksione ligjore.

“Duke pasur parasysh rrjetin e gjerë të klientëve të ‘Microsoftit’, nuk është për t’u habitur që po synohet një depërtim i tillë”, ka thënë Jerome Segura, studiuesi kryesor i çështjes në kompaninë e sigurisë kibernetike Malwarebytes’ Threatdown Labs. Ai shtoi se është shqetësuese që sulmi ende po zhvillohet pavarësisht përpjekjeve të ‘Microsoft’ për të penguar qasjen.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit