Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se në seancën e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet të martën, pritet të merret vendim për formimin e shportës shkollore për këtë vit.
„Të martën, në seancën e ardhshme të Qeverisë, do të marrim vendim për formimin e shportës shkollore. Besoj se, në kuadër të mundësive, ajo do të jetë atraktive për prindërit dhe nxënësit“, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Prilep.
Ashtu si vitin e kaluar, masa pritet të përfshijë produktet bazë shkollore që familjet i blejnë para fillimit të vitit të ri shkollor, përfshirë çanta, fletore, lapsa, goma, vizore, ngjitëse, markera, blloqe, si dhe materiale për art figurativ dhe edukatë teknike.
Qëllimi i kësaj mase është të lehtësohen shpenzimet e familjeve në prag të fillimit të vitit shkollor, periudhë kur rriten ndjeshëm shpenzimet për pajisjen e nxënësve.






