Mickoski: Të gjithë ata që janë kundër ligjit për arsimin e lartë, në fakt kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me Ligjin për arsimin e lartë dhe pritshmëritë nga ky ligj, deklaroi:

“Po. Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë time për ngjarjen që patëm dje në Qeveri. Atë e organizoi  Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Dhe e patë edhe ju vetë përmes mediave se si ishin të pranishëm rektorët e universiteteve shtetërore. Dhe të gjithë, dhanë mbështetje për ligjin. Kjo është e para.

Së dyti, të gjithë ata spekulantë politikë që publikisht thoshin se janë kundër ligjit, gjoja se në atë mënyrë cenohej autonomia, improvizojnë dhe manipulojnë. Pse? Sepse dje i panë rektorët e universiteteve shtetërore duke e mbështetur. Në thelb, ata kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj.

Deri më tani kemi punuar sipas ligjit të vitit 2018. Dhe universiteti ynë më i vjetër dhe më i njohur, do të thosha, aktualisht “Shën Kirili dhe Metodi”, në listën e Shangait ka rënë 1000 vende. Në fakt, nuk e di as nëse është fare i renditur. Ndërkohë që dikur ishte i renditur.

Tani, ata duan të punojnë një ditë në javë. Duan pagë 120-150 mijë denarë, por nuk duan të shkruajnë as një punim në vit, që është detyrë e tyre, një punim. Nuk duan të shkruajnë as një punim. Kjo është njësoj sikur unë, si kryetar i Qeverisë, të vij në punë gjysmë dite në javë dhe të kërkoj të kem dhjetë herë më shumë të ardhura dhe të mos mbaj përgjegjësi për asgjë në shtet. Kjo nuk funksionon kështu.

Kjo Qeveri i rriti pagat si rezultat i marrëveshjes kolektive, dyfish për punonjësit universitarë. Dhe e di që do të ketë edhe të tillë që tani do të dalin e do të më kritikojnë edhe pse jam profesor i rregullt. Do të thonë se kjo ishte kështu apo ashtu dhe do të kërkojnë presje në deklaratën time, por thelbi është ky.  Nuk duan të punojnë. Duan të kenë 6 orë në javë, të përqendruara në një ditë. Duan pagë 120-130-150 mijë denarë dhe të mos shkruajnë asnjë punim. Asnjë punim shkencor. Kjo nuk mundet kështu më.

Kjo nuk mund të vazhdojë më, sepse puna e profesorëve dhe asistentëve në institucionet e arsimit të lartë përbëhet nga tre shtylla. Puna aplikative, arsimore, pra të ligjërojnë, puna aplikative të bashkëpunojnë në projekte me ekonominë e kështu me radhë. Dhe ajo shkencore, të shkruajnë punime. Kjo është ajo që kërkojmë. Në disa fakultete u pengonte “Web of Science”, mirë, e zgjeruam bazën, tani do të jetë edhe “Scopus”. Pa pagesë, kjo Qeveri u mundësoi qasje në bazat e revistave që janë pjesë e “Web of Science” dhe “Scopus”, prandaj nuk e di çfarë më shumë duhet të bëjmë. Duhet të punojnë, nëse duan dhe nëse duan të kemi të ardhme si shtet, duhet t’i përvishen punës.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit