Mickoski për Gruevskin: Nuk ka standarde të dyfishta!

Pasi një ditë më herët ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski i cili ndodhet në arrati në Hungari, reagoi përmes rrjetit social Facebook ndaj ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po trajtohet rasti i tij dhe për përpjekjet për nisjen e procedurave të ekstradimit, sot kanë reaguar edhe krerët politikë në vend.

Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se qëndrimi i Qeverisë për sundimin e ligjit mbetet i pandryshuar, duke theksuar se nuk do të ketë standarde të dyfishta. Sipas tij, çdo person që përballet me organet e drejtësisë gëzon të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj, ndërsa institucionet do të veprojnë në përputhje me procedurat ligjore.

“Qëndrimi im është i njëjtë si para disa javësh dhe mbetet i pandryshuar. Nuk kemi standarde të dyfishta. Çdo qytetar që përballet me organet e drejtësisë ka të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Institucionet do të veprojnë në përputhje me procedurat ligjore dhe në funksion të sundimit të ligjit.”, theksoi Mickoski.

Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, nuk pret që qeveria aktuale do të kërkojë ekstradimin e Gruevskit, pasi sipas tij, kjo qeveri nuk është serioze.

“Unë pres sikurse çdo shtet serioz, por fatkeqësisht kësi lloj qeverie nuk mundet të bëhet serioze dhe të udhëheqë shtet serioz dhe këtë e shohin ç’do ditë, qytetarët e ndjejnë. Të veprohet ashtu siç duhet, të kërkojë ekstradim, sidomos, pas deklaratës së kryeminsitrit hungarezë, që kriminelë të arratisur nuk do t’i mbajë, që është shembull se si kthehet demokracia në shtet, shembull, Europa e pranon atë, e atë duhet ta bëjë qeveria”, nënvizoi Filipçe.

Në lidhje me rastin e Nikolla Gruevski, kanë reaguar edhe nga Ministria e Drejtësisë, nga ku njoftojnë se po ndërmerren të gjitha hapat në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tyre, procedurat zhvillohen në mënyrë institucionale dhe në bashkëpunim me autoritetet e Hungarisë, pa ndikim nga deklarata politike. /SHENJA

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit