Mickoski për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: E ardhmja duhet të jetë më e fortë se gjithçka që na ndan

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski, përmes një postimi në Facebook me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, tha se ky dokument është pjesë e historisë së re dhe realitetit politik e institucional të Maqedonisë së Veriut.

Mickoski theksoi se Marrëveshja e Ohrit duhet të shihet me pjekuri dhe respekt për qëndrimet e ndryshme në shoqëri, duke nënvizuar se historia nuk duhet të përshtatet me politikën ditore.

Sipas tij, më shumë se dy dekada pas marrëveshjes, vendi përballet me sfida të reja, ndërsa qytetarët presin institucione funksionale, barazi para ligjit, arsim dhe shëndetësi më cilësore, zhvillim ekonomik dhe mundësi që të ardhmen ta ndërtojnë në vend.

“Është koha që politika të merret gjithnjë e më pak me atë që na ndan dhe shumë më tepër me atë që duhet të ndërtojmë së bashku”, shkroi Mickoski.

Ai theksoi se vlera e qytetarit nuk duhet të matet sipas prejardhjes, por sipas dijes, punës, ndershmërisë dhe kontributit në komunitet.

Mickoski apeloi për ndërtimin e një shteti stabil dhe të sigurt, ku çdo qytetar do të ndihet i respektuar dhe i barabartë para ligjit.

“E kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të vendosim se çfarë të ardhme do të ndërtojmë”, shkroi kryeministri, duke theksuar se ajo e ardhme duhet të jetë e çliruar nga tensionet etnike, manipulimet politike dhe ndarjet.

Në përfundim, Mickoski tha se përgjegjësia e gjeneratës së sotme është që gjeneratave të ardhshme t’u lërë një Maqedoni më stabile, më të suksesshme dhe më të drejtë, ku dallimet respektohen, por e ardhmja e përbashkët është më e fortë se gjithçka që i ndan qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit