Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Mickoski tha se vendimi synon mbrojtjen e pensionistëve dhe të ardhurave të tyre. Sipas tij, pas rritjeve lineare të pensioneve të realizuara më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.
Për këtë arsye, kryeministri tha se në të ardhmen rritja e pensioneve do të bëhet përmes harmonizimit të rregullt, në përputhje me ligjin.
“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.
Sa i përket shumës së rritjes, kryeministri tha se ajo ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.
“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.
Pensionet në Maqedoninë e Veriut harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje merren parasysh në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare dhe rritja e kostos së jetesës.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve.






