Mickoski në Këshillin Kombëtar për Zhvillim: Suksesi i një strategjie nuk matet me numrin e faqeve që përmban, por me numrin e jetëve që do të përmirësojë

“Kemi hyrë në një kohë kur bota po ndryshon me një shpejtësi që rrallë ndonjë brez më parë e ka përjetuar. Rrjedhat ekonomike po ndryshojnë, revolucionet teknologjike po transformojnë tregun e punës, sfidat gjeopolitike po bëhen gjithnjë e më komplekse, ndërsa shtetet që nuk kanë një strategji dhe vizion të qartë rrezikojnë të mbeten në margjinat e proceseve zhvillimore. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për institucione që nuk do të mendojnë vetëm për vitin e ardhshëm, por për dy dekadat e ardhshme. Pikërisht për këtë arsye Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2024-2044 përfaqëson një nga dokumentet më të rëndësishme të krijuara në historinë më të re të shtetit. Jo sepse është edhe një strategji e miratuar nga institucionet, por sepse pas saj qëndron një konsensus i gjerë shoqëror, punë serioze ekspertësh dhe një synim i sinqertë për të vendosur më në fund një kulturë të planifikimit afatgjatë dhe mendimit strategjik”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në mbledhjen e pestë të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit.

Ai theksoi se për shumë vite Maqedonia e Veriut është përballur me sfida të shumta që shpesh e kanë detyruar politikën të mendojë në afat të shkurtër.

“Në vend që të diskutonim se ku duam të jemi pas njëzet vitesh, shpesh diskutonim se si të kalonim muajin e ardhshëm. Në vend që të garonim me shtetet më të suksesshme evropiane, kemi shpenzuar shumë energji në zgjidhjen e problemeve që duhej të ishin mbyllur prej kohësh. Sot kemi detyrimin ta ndryshojmë këtë qasje. Duhet të tregojmë se shteti mund të jetë i parashikueshëm, se institucionet mund të funksionojnë mbi bazën e planeve dhe jo të improvizimeve, dhe se zhvillimi nuk duhet të varet nga ciklet politike, por nga objektiva të qarta kombëtare për të cilat ekziston një konsensus i gjerë shoqëror”, tha Mickoski.

Ai shtoi se Këshilli Kombëtar për Zhvillim është një nga platformat më të rëndësishme që ka vendi sot.

“Në të takohen institucionet, shkenca, vetëqeverisja lokale, komuniteti i biznesit dhe sektori civil. Është një vend ku perspektivat e ndryshme nuk shihen si pengesë, por si avantazh. Një vend ku krijohen politika që kanë potencial të zgjasin më shumë se një mandat dhe më shumë se një qeveri. Dëshiroj të veçoj punën e Komitetit Punues dhe të gjithë atyre që gjatë periudhës së kaluar investuan dije, energji dhe kohë për t’i shndërruar objektivat strategjikë në masa dhe politika konkrete”, tha ai.

Mickoski vlerësoi se pjesëmarrja e më shumë se 1.200 përfaqësuesve të institucioneve, kompanive, universiteteve dhe organizatave në procesin e hartimit të strategjisë dëshmon se bëhet fjalë për një proces që prodhon politika dhe rezultate reale.

“Qytetarët prej kohësh nuk kërkojnë strategji dhe premtime të reja. Ata kërkojnë rezultate. Kërkojnë vende pune më të mira, të ardhura më të larta, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë, infrastrukturë moderne dhe institucione efikase e të drejta”, deklaroi ai.

Mickoski theksoi se suksesi i një strategjie nuk matet me numrin e faqeve, por me ndikimin që ajo ka në jetën e qytetarëve.

“Për mua pyetja më e rëndësishme nuk është sa dokumente do të miratojmë, por sa të rinj do të vendosin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Nuk ka rëndësi sa analiza do të përgatisim, por sa kompani të reja do të hapin kapacitete të tyre, sa vende të reja pune do të krijojmë dhe sa ekonomi të fortë e konkurruese do të ndërtojmë. Kur flasim për zhvillim, nuk flasim vetëm për tregues ekonomikë. Flasim për besimin. Flasim për ndjenjën tek qytetarët se shteti ka drejtim, se ekziston një plan dhe se institucionet e dinë se ku po shkojnë”, tha ai.

Sipas tij, shteti duhet të krijojë kushte që të rinjtë të mos detyrohen të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit, por ta gjejnë atë në vendin e tyre.

Ai theksoi se qeveria po i kushton vëmendje të veçantë investimeve, inovacioneve, transformimit digjital dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, sepse këta faktorë do të përcaktojnë konkurrueshmërinë e shtetit në dy dekadat e ardhshme.

Mickoski veçoi gjithashtu rëndësinë e Hartës së Investimeve, e cila sipas tij tashmë po jep rezultate konkrete përmes lidhjes së institucioneve, kompanive vendore dhe investitorëve ndërkombëtarë.

Kryeministri theksoi se një nga temat më të rëndësishme për të cilat duhet të flitet hapur është demografia.

“Asnjë strategji ekonomike, asnjë investim infrastrukturor dhe asnjë reformë politike nuk do të kenë kuptim të plotë nëse nuk arrijmë të krijojmë kushte që të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu, të krijojnë familje këtu dhe të besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një të ardhme më të mirë. Politika demografike nuk është vetëm çështje statistikash. Është çështje e qëndrueshmërisë kombëtare dhe e së ardhmes së shtetit”, deklaroi ai.

Në fund, Mickoski tha se raporti vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit nuk është raport për një punë të përfunduar, por fillimi i një procesi afatgjatë që do të kërkojë përkushtim, vazhdimësi dhe pjekuri politike.

“Jam i bindur se nëse vazhdojmë në këtë rrugë, të përkushtuar ndaj reformave, zhvillimit ekonomik, dijes, investimeve dhe modernizimit të institucioneve, atëherë viti 2044 nuk do të jetë vetëm një numër në një strategji, por një vit kur me krenari do të mund të themi se kemi ndërtuar një Maqedoni më të fortë, më të pasur, më të drejtë dhe më të suksesshme. Një Maqedoni që do të jetë shtet i mundësive, shtëpi për ambiciozët dhe të aftët, një Maqedoni që nuk do ta presë të ardhmen, por do ta krijojë atë”, përfundoi Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit