Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria ka rregulluar rreth 95 për qind të marrëdhënieve me partnerët socialë përmes marrëveshjeve kolektive, të cilat kanë afat realizimi deri në vitin 2028.
Duke folur në seancën e Këshillit Ekonomiko-Social, ai theksoi se Qeveria vepron me përgjegjësi dhe merr obligime vetëm brenda mandatit aktual.
“Veprojmë me përgjegjësi në kuadër të mandatit që na e kanë dhënë qytetarët dhe nuk marrim përsipër obligime për periudhën pas vitit 2028, pra pas mandatit të kësaj qeverie. Duam të jemi qeveri që zgjidh problemet e trashëguara nga e kaluara për shkak të menaxhimit jo profesional dhe të dobët”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se është arritur marrëveshje me sindikatat SPOGJ dhe Sindikatën e Administratës dhe të Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU) për rritjen e pagave në administratë, duke shtuar se në proces janë përfshirë edhe sindikata të tjera që fillimisht nuk kanë qenë pjesë e negociatave.
Sipas tij, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje është mbyllur një nga çështjet e hapura që ishte diskutuar edhe në disa seanca të Këshillit Ekonomiko-Social.
Kryeministri informoi gjithashtu se në rend dite është informacioni për nivelin e pagës minimale për vitin 2026, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
“Pres që ta miratojmë dhe nga prilli të fillojë pagesa sipas nivelit të ri të pagës minimale për muajin mars”, theksoi ai.
Mickoski shtoi se pret që dialogu bipartit ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve të vazhdojë dhe të intensifikohet, duke theksuar se zgjidhjet më të mira arrihen përmes dialogut institucional, ndërsa mekanizmat jashtëinstitucionalë, sipas tij, mund të çojnë në polarizim të situatës.



