Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e pishinës në Komunën e Butelit, deklaroi se Qeveria po vazhdon realizimin e projekteve që, sipas tij, do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Mickoski tha se krahas fillimit të ndërtimit të pishinës, po përfundon edhe zgjerimi i shkollës fillore “Aco Shopov”, duke vlerësuar se këto investime do të sjellin vlerë të shtuar për banorët e Butelit dhe Radishanit.
“Me këto projekte po arrijmë, ngadalë por sigurt, të krijojmë kushte më të mira jetese për qytetarët në të gjitha komunat e vendit. Po i përfundojmë projektet që janë nisur dhe po vendosim gurthemelet për ato që ende nuk kanë filluar”, u shpreh Mickoski.
Ai njoftoi se Qeveria tashmë po shqyrton mundësinë që edhe gjatë vitit 2027 të vazhdojë me një program të ngjashëm investimesh, pasi, sipas tij, iniciativa ka dhënë rezultate pozitive.
Kryeministri përgëzoi kryetarin e Komunës së Butelit për angazhimin në realizimin e projekteve, falënderoi këshilltarët komunalë, administratën komunale, deputeten nga kjo komunë, si dhe ministren e Arsimit dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë për mbështetjen e dhënë.
Në fund, Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në decentralizimin e mjeteve nga buxheti qendror drejt komunave dhe në realizimin e projekteve që, sipas tij, do të ndihmojnë në korrigjimin e mangësive të grumbulluara ndër vite./Ora24.tv





