Qeveria do të bisedojë me sinxhirët tregtarë, ku janë konfirmuar marzha pa arsye të rritura, por tani për tani nuk dua të përmendi emra, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se bisedimet do të zhvillohen drejtpërdrejt dhe pa debate publike.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit të pishinës së mbyllur në Shkollën Fillore “Aco Shopov” në Komunën e Butelit, Mickoski tha se nuk dëshiron t’i emërtojë publikisht marketet para se të mbahen takimet.
“Nuk dua të përmend emra tani. Atë që kam për të thënë, do ta them në katër sy”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se edhe paraprakisht ka folur për çështje të tilla dhe se qasja e tij është komunikim i hapur dhe i drejtpërdrejtë me palët e involvuara.
“Në parim, kam folur për këto gjëra, nuk dua të bëj estradë. Unë diskutoj hapur, drejtpërdrejt, në katër sy. Dua të dëgjoj argumentet edhe nga ajo anë dhe t’i paraqes faktet tona”, tha kryeministri.
Dje Mickoski nga kazerma “Ilinden” tha se në markete të caktuara është vërejtur rritje e marzhit në krahasim me vitin e kaluar prej dy deri në pesë për qind dhe se tregtarët do të thirren në takim dhe do t’u thuhet qartë se kjo është e papranueshme. Në konferencën e sotme për shtyp, ai nuk saktësoi se sa sinxhirë tregtarë janë përfshirë, as kur do të mbahen takimet





