Sot jemi dëshmitarë të një momenti të rëndësishëm për sektorin energjetik maqedonas. Është nder i veçantë për mua që jam këtu, në fillimin zyrtar të tregtimit në “Tregun brenda ditës” – Intraday Market, të organizuar nga MEMO SHPKNJP Shkup.
Ky nuk është vetëm një mjet i ri teknik apo edhe një procedurë tjetër administrative. Ky është një hap serioz përpara drejt një energjetike moderne, stabile dhe të harmonizuar me standardet evropiane. Ky është tregues se po ecim përpara, me vizion të qartë dhe me reforma konkrete që sjellin rezultate.
Në një kohë kur energjetika është një nga çështjet më të rëndësishme për çdo shtet, detyrimi ynë është të krijojmë një sistem që do të jetë i sigurt, i konkurrueshëm dhe rezistent ndaj sfidave globale. Intraday Market pikërisht këtë e mundëson. Me këtë platformë fitojmë fleksibilitet më të madh në menaxhimin e sistemit elektroenergjetik, balancim më të mirë dhe përdorim më efikas të energjisë në kohë reale.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një proces transformimi energjetik. Shteti ynë nuk guxon të qëndrojë mënjanë. Përkundrazi, duhet të jetë pjesë aktive e rrjedhave dhe politikave energjetike evropiane.
Këtu dua të theksoj rolin e “MEMO”-s, si operator kombëtar i tregut të energjisë elektrike. Me vendosjen e tregtimit Intraday, MEMO edhe një herë konfirmon se posedon kapacitet, dije dhe profesionalizëm për të qenë partner modern dhe i besueshëm në treg. Ky sukses është rezultat i punës serioze, ekspertizës dhe përkushtimit.
Reforma të tilla nuk ndodhin brenda natës. Ato kërkojnë vizion, guxim dhe përcaktim të qartë për të ndjekur standardet evropiane. Dhe pikërisht këtë po bëjmë sot.
Intraday Market paraqet një hap të rëndësishëm drejt integrimit me tregjet energjetike evropiane. Ai do të kontribuojë për transparencë më të madhe, likuiditet më të mirë dhe konkurrencë më të madhe në treg. Njëkohësisht, do të mundësojë përballje më efikase me debalancin dhe ulje të rreziqeve sistemike.
Veçanërisht e rëndësishme është se kjo reformë do të ndihmojë edhe në zbutjen e efekteve të mekanizmave si CBAM, diçka për të cilën këtu tashmë u fol.
Qëllimi ynë është i qartë – të ndërtojmë një sistem energjetik që jo vetëm do t’i plotësojë nevojat e vendit, por do ta pozicionojë Maqedoninë si shtet që mund të jetë edhe eksportues neto i energjisë elektrike.
Kjo është pjesë e vizionit më të gjerë të Qeverisë; ekonomi e fuqishme, sektor energjetik stabil dhe shtet që krijon siguri për qytetarët dhe ekonominë.
Të nderuar,
Ky është një hap i rëndësishëm, por jo edhe i fundit. Para nesh ka ende shumë punë, shumë reforma dhe shumë sfida. Por jam i bindur se me përkushtim, partneritet dhe strategji të qartë do të vazhdojmë ta fuqizojmë sektorin energjetik maqedonas.
Sot dërgojmë mesazhin se po ndryshojmë, po modernizohemi dhe po ecim përpara.
Me kënaqësi të veçantë, zyrtarisht e shënoj fillimin e tregtimit në Intraday Market këtu, te ne në Shkup.





