Kryeministri Hristijan Mickoski ka akuzuar ish-qeverinë e udhëhequr nga LSDM dhe BDI se që në vitin 2023 kishte miratuar hyrjen në marrëdhënie biznesi me Alta Bankën nga Serbia, në pronësi të Davor Macurës.
Gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend për zhvillimet në Alta Bankën e Manastirit, Mickoski prezantoi një dokument që, sipas tij, është pjesë e procesverbalit të draftit të seancës së 194-t të Qeverisë, të mbajtur më 24 tetor 2023, kur kryeministër ishte Dimitar Kovaçevski.
Sipas Mickoskit, në atë mbledhje, ministri i atëhershëm i Financave, Fatmir Besimi, kishte paraqitur një informacion me të cilin kërkonte miratimin e Qeverisë që Avokatura Shtetërore të hynte në marrëdhënie biznesi me Alta Bankën.
Ai pretendoi se Qeveria e atëhershme kishte dhënë dritën jeshile edhe për tjetërsimin e aksioneve shtetërore në bankën që po blihej nga Davor Macura.
Mickoski ngriti pikëpyetje mbi njohuritë që kishte pasur atëkohë qeveria për pronarin e bankës dhe prejardhjen e kapitalit të tij, duke kërkuar të dihet nëse atëherë kishte pasur dyshime për kapital rus apo para me origjinë të paligjshme.
Kryeministri theksoi se në mbledhjen e përmendur kishin marrë pjesë edhe Dimitar Kovaçevski, Oliver Spasovski, Lupço Nikollovski dhe Bllagoj Boçvarski, të cilët, sipas tij, kishin votuar në favor të vendimit.
„Ishte Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ajo që e futi Maqedoninë në marrëdhënie biznesi me Alta Bankën e Macurës“, deklaroi Mickoski, duke shtuar se publiku duhet të informohet për vendimet e marra nga pushteti i atëhershëm.








