Vazhdojnë përplasjet deklarative ndërmjet kryeministrit, Hristijan Mickoskit dhe kryeprokurit, Ljupço Kocevski, ku fjala drejtësi kthehet në betejë mes dy organeve.
Mickoski tha se nuk do t’i komentojë vlerësimet e gjyqtarëve, por do t’i lërë qytetarët të thonë nëse janë të kënaqur me drejtësinë në vend. Ai tha se gjyqësori kërkon buxhet të pavarur, por duhet të jenë të vetëdijshëm se kur ta marrë atë pavarësi financiare, ata do të mbajnë përgjegjësi për çdo denar të shpenzuar nga qytetarët.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Gjithçka do ta marrin në muajt e ardhshëm, por vetëm një gjë do të kërkoj – përgjegjësi. Çdo denar para të popullit do të shikojmë si shpenzohet, që të mos ndodhë që një pjesë e tyre të përfundojnë në bankën e të akuzuarve. Kërkojnë pavarësi financiare si në BE, do ta marrin, por të shohim pastaj nëse do të kemi drejtësi”.
Kryeministri në disa raste ka paralajmëruar një “reset të sistemit” dhe ndërtimin e një shteti ligjor me gjyqësor të paanshëm. Sipas tij, reformat në gjyqësor kanë të bëjnë vetëm me rritjen e pagave.
Ndërkaq, kryeprokurori, Ljupço Kocevski sot, para deputetëve, alarmoi për gjendjen në të cilën ndodhen prokuroritë. Ai theksoi se mungojnë mjete financiare, por edhe staf në këtë sektor. Tha se rritja e buxhetit nuk është e nevojshme për rritjen e pagave të prokurorëve publikë, por për kryerjen e punës së tyre. Gjithashtu, tregoi se brenda më pak se dy vitesh 40 të punësuar janë larguar, dhe vendet e tyre nuk janë plotësuar me punonjës të rinj.
LJUPÇO KOCEVSKI, KRYEPROKUROR
“Kam obligim t’ju tregoj se gjendja me të cilën përballemi po bëhet alarmante. Edhe këtë vit, përkundër minimumit ligjor prej 0,4 % të buxhetit të përgjithshëm, propozohet vetëm 0,2 % për nevojat e Prokurorisë. Në total, shuma është madje më e vogël se në vitin aktual. Kjo është krejtësisht e palogjikshme në kushte kur të gjitha shpenzimet po rriten”.
Kocevski, u ndalë edhe tek rezultatet e arritura nga prokuroritë. Ai tha se vitin e kaluar prokuroritë kanë zgjidhur rreth 20 mijë raste, ndërsa po punohet edhe në fazën parahetimore dhe në procedurën gjyqësore. Në këto kushte, shtoi ai, çdo i punësuar në Prokurorinë Publike kryen detyrat e të paktën 4–5 pozicioneve të parapara.
Me një njoftim për media, Mickoskit i kanë reagur edhe nga Këshilli Gjyqësor të Gjykatës Supreme dhe Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët theksojnë se me komentet e tij, ai ka kaluar kufijtë e sjelljes së mirë.
KËSHILLI GJYQËSOR
“Zoti Kryeministër, prej një kohe të gjatë komentet tuaja ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit e kanë kaluar kufirin e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të paargumentuara dhe të përgjithësuara. Kritika është e mirëpritur vetëm kur jepen vërejtje konkrete dhe propozime të qarta për zgjidhjen e problemeve. Kritika e paargumentuar tregon se nuk ka synim të ndërmerret asgjë për përmirësimin e gjendjes, por fajësia për apatinë e përgjithshme shoqërore hidhet mbi gjyqtarët”.
Ata shtojnë se me komentet e deritanishme të kryeministrit, ai po e cenon parimin demokratik të barazisë së tre pushteteve – gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv. Ata theksojnë se pushteti gjyqësor është kategori kushtetuese, ndërsa Kushtetuta dhe pavarësia e tij duhet të respektohen.
Samir Mustafa /SHENJA/





