Mickoski: Financat e forta publike janë parakusht për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillimin e shoqërisë

Shkup, 22 qershor – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se financat e qëndrueshme publike përbëjnë bazën e çdo shteti të suksesshëm, duke theksuar se ato janë parakusht për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, siguri dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.

Në fjalimin e tij me rastin e 25-vjetorit të Qendrës për Ekselencë në Financa, Mickoski vlerësoi rolin e institucionit në zhvillimin profesional, shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në rajon.

Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të financave publike të qëndrueshme, transparente dhe të përgjegjshme, duke shtuar se çdo denar i qytetarëve duhet të menaxhohet me kujdes dhe në interes të publikut.

Duke folur për rezultatet ekonomike, kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të këtij viti ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje prej 3,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur vendin ndër pesë ekonomitë me rritjen më të lartë në Evropë.

Mickoski rikujtoi gjithashtu se gjatë vitit të kaluar vendi regjistroi nivel rekord të investimeve të huaja direkte, në vlerë prej 1 miliard e 255 milionë eurosh, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në shtet.

“Këto rezultate tregojnë se financat stabile publike, politikat e përgjegjshme ekonomike dhe reformat që po zbatojmë krijojnë besim te investitorët, nxisin aktivitetin ekonomik dhe hapin mundësi të reja për zhvillim”, theksoi ai.

Sipas kryeministrit, vendi po regjistron rritje të prodhimit industrial, eksporteve dhe pagave mesatare, ndërsa papunësia po shënon ulje graduale. Ai shtoi se inflacioni është stabilizuar dhe se është krijuar një mjedis më i parashikueshëm për bizneset.

Mickoski njoftoi se Qeveria po realizon ciklin më të madh investues në historinë më të re të shtetit, përmes ndërtimit dhe rindërtimit të rrugëve, autostradave, hekurudhave, shkollave, konvikteve studentore, sallave sportive, spitaleve dhe kapaciteteve energjetike.

Në fund të fjalimit, ai theksoi rëndësinë e investimit në dije dhe në zhvillimin profesional të administratës publike, duke vlerësuar se institucionet e forta dhe kapitali njerëzor janë faktorët kryesorë për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Mickoski uroi Qendrën për Ekselencë në Financa për jubileun e 25-vjetorit, duke shprehur bindjen se ajo do të vazhdojë të jetë një motor i rëndësishëm i reformave, modernizimit dhe zhvillimit profesional në rajon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit