Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Mickoski theksoi se biseda me zyrtarin e lartë amerikan është me rëndësi të veçantë dhe, sipas tij, dëshmon rëndësinë e partneritetit strategjik dhe dialogut të vazhdueshëm politik mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kam biseduar në Nju Jork me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio. Këto biseda kanë rëndësi të veçantë dhe përfaqësojnë konfirmim të rëndësisë së partneritetit strategjik dhe dialogut të vazhdueshëm politik me Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë politik krijon mundësi për shkëmbimin e qëndrimeve mbi çështjet me interes të përbashkët, thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e pozitës së Maqedonisë së Veriut si aleate e qëndrueshme dhe e besueshme.
“ në një periudhë të sfidave serioze gjeopolitike, partneritetet e forta dhe dialogu i hapur me aleatët tanë strategjikë kanë edhe më shumë peshë. Maqedonia ka interesa të qarta shtetërore dhe vazhdon t’i përfaqësojë ato me dinjitet dhe parim, së bashku me partnerët tanë strategjikë”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se Qeveria do të vazhdojë të punojë për avancimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe për krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim.
“Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin strategjik maqedono-amerikan dhe të krijojmë mundësi të reja”, përfundoi Mickoski.






