Mickoksi: Hetimet për Mihajllovën do të paraqiten para partnerëve të NATO-s

Advertisement

Një pjesë e provave të hetimeve lidhur me rastin e Iva Mihajllovës do të prezentohen para partnerëve të vendit në NATO, ka njoftuar sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se shteti nuk do të heqë dorë nga kërkesa që Mihajllova dhe babai i saj, i cili është dënuar në shkallë të parë, të dalin para gjykatave të vendit. Sipas Mickoskit tensionet që shkaktoi mes dy vendeve arratisja e Mihajllovës nuk do ta bëjnë atë të ndryshojë qëndrimin për procesin e integrimit evropian. Ai theksoi se do t’i intensifikojë kërkesat për takime me përfaqësuesit bullgarë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për problemet.

HRISTIJAN MICKOKSI, KRYEMINISTËR

“Ne kemi një hetim dhe ju lutem të na lejoni ta përfundojmë atë. Më pas, një pjesë të provave që do të sigurojmë gjatë hetimit fillimisht do t’ua prezantojmë partnerëve tanë në NATO, për të treguar se si sillen vendet partnere brenda NATO-s. Kjo ndërhyrje, përmes së cilës një person thjesht është rrëmbyer dhe tani është i arratisur nga drejtësia, nuk do të përfundojë kështu. Megjithatë, ne nuk do të lejojmë që të bëhemi viktimë e reagimeve emocionale. Do të vazhdojmë të ndjekim interesin tonë, që është procesi i integrimit evropian, dhe nuk do t’i braktisim negociatat”.

Mickoski vlerëson se me përgjigjen e autoriteteve bullgare se nuk do ta ekstradojnë Mihajllovën, kanë rënë poshtë pretendimet për sulme të koordinuara nga Bullgaria dhe opozita vendase, sipas të cilave arratisja ishte e organizuar paraprakisht. Pas shpalljes së fletë-arrestimit, kryeministri pret që në vend të kthehet jo vetëm Mihailova, por edhe babai i saj.

HRISTIJAN MICKOKSI, KRYEMINISTËR

“Ne kemi mjetet dhe mekanizmat tanë për të vepruar në arenën ndërkombëtare, por do ta përsëris edhe një herë atë që thashë dje: kjo përpjekje e pasuksesshme i ka shkaktuar dëm të madh diplomatik qeverisë në Sofjen zyrtare, por ky është problemi i tyre. Problemi ynë është që të arratisurin nga drejtësia dhe të arratisurën nga drejtësia ti nxjerrim para drejtësisë. E thashë edhe dje dhe po e përsëris, herët a vonë, kjo do të ndodhë”.

Ikja e Iva e Mihajllovës në Bullgari, për të cilën në vend zhvillohet procedure gjyqësore pasi që akuzohet për aksident me pasoja fatale, ka shtuar tensionet në mes RMV-së dhe Bullgarisë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit