8.8 C
Skopje
Monday, December 2, 2024

Mexhiti takoi drejtorin rajonal të UNOPS-it për Evropë dhe Azinë Qendrore, Tim Lardner

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot priti në një takim pune një delegacion nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh, UNOPS, të udhëhequr nga drejtori rajonal për Evropë dhe Azinë Qendrore, Tim Lardner.

Duke i uruar mirëseardhje z.Lardner në vendin tonë, Mexhiti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen që UNOPS-i i jep vazhdimisht Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Jam i kënaqur që së bashku po zbatojmë projekte të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimi ynë me UNOPS-in dhe projektin “BE për ajër të pastër” është një hap i rëndësishëm në përpjekjet tona për të luftuar ndotjen dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit në vendin tonë”, tha Mexhiti duke shtuar se ndotja e ajrit është një nga sfidat më të mëdha mjedisore me të cilat përballemi si vend dhe rajon.

Nëpërmjet projektit “Ajri i pastër” të Bashkimit Europian dhe në bashkëpunim me UNOPS-in, kemi krijuar mundësi të reja për zbatimin e masave që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër. Si shembull i shkëlqyer suksesi i bashkëpunimit është edhe projekti në ish-fabrikën OHIS për sanimin e deponisë me lindan, ranë dakord Mexhiti dhe Lardner.

“Ky projekt është i një rëndësie të madhe, sepse ka të bëjë me një problem serioz mjedisor, pastrimin e sipërfaqes së kontaminuar me substanca të dëmshme organike”, tha Mexhiti.

Drejtori Rajonal i UNOPS për Evropën dhe Azinë Qendrore, Tim Lardner, tha se UNOPS është i gatshëm të mbështesë procesin e integrimit evropian të vendit, në drejtim të përgatitjes dhe zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve prioritare në përputhje me standardet nacionale për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit