Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Çairit në Maqedoninë e Veriut, Izet
Mexhiti, në një intervistë të dhënë për A2 CNN ka komentuar heshtjen
publike të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se kjo tregon
qartë se ai e ka kuptuar mesazhin që elektorati shqiptar i ka dhënë në
këto zgjedhje.
“Meqë nuk del ende në konferencë për media z. Ahmeti pas 22 viteve, siç
ka dalë pas çdo cikli zgjedhor, mendoj se e ka marrë porosinë e votuesit
shqiptar,” deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se ky është moment reflektimi për BDI-në dhe për të gjithë ata
që kanë udhëhequr për një kohë të gjatë pa ndryshim.
“I dëshiroj pra që të reformohen në ide, në program dhe në fytyra të
reja, që të jenë në të ardhmen konkurrues në skenën politike shqiptare,”
tha ndër të tjera Mexhiti.
Mexhiti shënoi fitore të qartë në zgjedhjet lokale të 19 tetorit që në
rrethin e parë, duke u konfirmuar si një nga figurat qendrore të
politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.