Një lajm i madh për arsimin në gjuhën shqipe në Shkup: Qeveria ka miratuar vendimin për t’i dhënë Universitetit “Nënë Tereza” 31.434 metra katrorë tokë shtetërore në pronësi të përhershme – duke hapur rrugën për ndërtimin e një kampusi universitar modern me vlerë 40 milionë euro.
Lajmin e bëri publik zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi këtë vendim si një “investim në dije, në ëndrrat e të rinjve dhe në të ardhmen tonë të përbashkët”.
“Ky nuk është thjesht një projekt ndërtimi – është ngritja e një tempulli të dijes shqiptare në zemër të Shkupit. Po ndërtojmë një kampus që do të jetë shtëpi e dijes, e kërkimit dhe e përparimit për mijëra studentë,” tha Mexhiti me krenari.
Kampusi i ri pritet ta kthejë Çairin në një epiqendër të arsimit të lartë shqiptar, me infrastrukturë moderne, hapësira të dedikuara për kërkime shkencore dhe kushte që i afrohen standardeve evropiane.
Ky projekt konsiderohet si një ndër investimet më të mëdha arsimore në vend dhe një hap i rëndësishëm drejt barazisë në arsim për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Po u japim studentëve tanë jo vetëm një vend për të studiuar, por një hapësirë për të ëndërruar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre me dinjitet,” përfundoi Mexhiti.