Mërgimtari kthehet nga Gjermania me një zgjidhje për Strugën, Qyra: Kështu ndërtohet qyteti
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një takim me Mërgim Demkun, një të ri të kthyer nga Gjermania, i cili ka paraqitur një propozim konkret për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në Strugë.
Sipas Qyrës, ajo që e bëri këtë takim të veçantë ishte fakti se Demku nuk erdhi me kritika, por me një model të bazuar në përvojat dhe praktikat që zbatohen në vendet perëndimore.
“Është inkurajuese kur të rinjtë që kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit vendosin ta sjellin dijen dhe përvojën e tyre në Strugë. Qyteti ka nevojë për njerëz që propozojnë zgjidhje, jo vetëm kritika”, theksoi Qyra.
Ai bëri të ditur se modeli i prezantuar lidhet me Partneritetin Publiko-Privat, përmes të cilit, sipas tij, problemi i qenve endacakë mund të zgjidhet pa rritur shpenzimet e komunës, e cila aktualisht harxhon rreth 100 mijë euro në vit për dëmshpërblime dhe procese gjyqësore.
Qyra rikujtoi se ky model ishte propozuar edhe në seancën e fundit të Këshillit Komunal, por nuk mori mbështetjen e këshilltarëve të AKI-së, Listës së Pavarur dhe Levicës.
Në fund, ai vlerësoi kontributin e mërgimtarëve që zgjedhin të kthehen dhe të investojnë idetë e tyre në vendlindje, duke theksuar se Struga ka nevojë për më shumë iniciativa të tilla dhe për zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.





