Kompania shtetërore MEPSO e ka ankimuar vendimin e trupit para-arbitrazh për kontestin me kompaninë “Energoinvest”nga Sarajeva,me cila ishte angazhuar për ndërtimin e interkonektorit me Shqipërinë u tha në takimin me gazetarët.
Nga MEPSO thonë se kontrata është ndërprerë për shkak të lëshimeve serioze në
e projektit. Sipas tyre, “Energoinvest” ka realizuar vetëm katër për qind të punimeve të parapara dhe për dy vite nuk është paraqitur në kantier. Udhëheqësia aktuale e MEPSO-s vlerëson se projekti për vite me radhë ka qenë në ngecje, ndërsa mosrealizimi i tij deri më tani i ka shkaktuar shtetit humbje prej rreth 19.8 milionë eurosh, përkatësisht nga 6.7 milionë euro në vit. Për më tepër, nga viti 2025 deri më tani, mbi bazë të kamatave janë humbur edhe rreth një milion euro. Sipas vendimit të trupit para-arbitrazh, MEPSO duhet t’i paguajë “Energoinvest”-it gjashtë milionë euro dëmshpërblim për ndërprerjen e njëanshme të kontratës. Megjithatë, nga kompania sigurojnë se kanë argumente të forta juridike dhe shanse reale për ta fituar procedurën e arbitrazhit. Nga MEPSO bëjnë të ditur se për procedurën janë konsultuar edhe dy kompani të njohura avokatie nga SHBA-ja, analizat e të cilave kanë treguar se kompania shtetërore ka bazë të fortë juridike në këtë kontest. Vendimi për ndërprerjen e kontratës, i marrë në dhjetor të vitit 2024, sipas udhëheqësisë aktuale, ka ardhur pas një analize të gjerë dhe kontrolli forenzik të projektit. Në këtë proces janë analizuar të gjitha aspektet e realizimit, ndërsa janë konsultuar edhe financuesit ndërkombëtarë. Ata kanë vlerësuar se edhe me 7.7 milionë euro shtesë, të kërkuara nga “Energoinvest”, kompania nuk do të mund ta përfundonte projektin. MEPSO thekson se problem shtesë ka qenë fakti që “Energoinvest” pothuajse tërësisht është mbështetur te nënkontraktorë nga rajoni i Strugës, të cilët kishin përvojë në ndërtimtari, por jo në infrastrukturë energjetike. Në terren, sipas kompanisë, janë vendosur vetëm 24 themele nga gjithsej 269 të parapara. “Energoinvest” në dhjetor të vitit 2022 e ka braktisur kantierin dhe nuk është kthyer deri në ndërprerjen përfundimtare të kontratës. Gjatë vitit 2023, udhëheqësitë e mëparshme të MEPSO-s i kanë ofruar kompanisë dy anekse të kontratës, njëri në vlerë prej 2.8 milionë eurosh dhe tjetri prej 4.5 milionë eurosh, por të dy janë refuzuar nga “Energoinvest”. Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, deklaroi se, përkundër dispozitave të qarta kontraktuale që e përjashtojnë mundësinë e rritjes së çmimit, “Energoinvest” në disa raste ka kërkuar mjete shtesë. “Në analizën forenzike është konstatuar qartë qëllimi për të mos vazhduar me ndërtimin e largpërçuesit, gjë që paraqet bazë për ndërprerjen e kontratës. Braktisja e kantierit dhe mosplotësimi i obligimeve kontraktuale krijuan kushte për ndërprerjen e kontratës”, deklaroi Latifi.
Ai shtoi se, pavarësisht sinjaleve negative, Bordi Mbikëqyrës në vitin 2023 kishte vendosur t’i jepte edhe një mundësi “Energoinvest”-it, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për projekt strategjik të Korridorit 8. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi hetim për udhëheqësinë aktuale të MEPSO-s, duke akuzuar drejtorin Latifi se kontrata me “Energoinvest” është zëvendësuar me kompani të afërta me Millorad Dodikun.
Nga koalicioni VLEN u kundërpërgjigjën se kontrata ka qenë e ngarkuar me probleme serioze, kërkesa shtesë financiare dhe braktisje të kantierit, ndërsa ndërprerja e saj është bërë mbi bazë të analizave profesionale dhe institucionale. /Ora24.tv





