ryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi takim me presidenten e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, ku në fokus ishin mbrojtja e rajonit të Ohrit dhe Strugës nën UNESCO, bashkëjetesa dhe çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Qyra theksoi se dy nga temat kryesore të bisedës ishin Marrëveshja e Ohrit dhe UNESCO, duke i cilësuar ato si çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Strugës dhe të gjithë rajonit.
“Biseduam për dy tema shumë të rëndësishme: Marrëveshjen e Ohrit, si një nga themelet e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, dhe UNESCO-n. Është një çështje shumë e rëndësishme, për të cilën ne si komunë, por edhe institucionet e tjera, duhet të punojmë gjatë pesë viteve të ardhshme”, deklaroi Qyra.
Ai shtoi se gjatë takimit u diskutua edhe për çështje të ndryshme që lidhen me bashkëjetesën dhe nevojën për tejkalimin e ndarjeve mes qytetarëve.
Nga ana tjetër, presidentja Siljanovska-Davkova vuri theksin te nevoja për zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve dhe bashkëpunimin ndërmjet Strugës, Ohrit dhe institucioneve shtetërore.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e mbrojtjes së Liqenit të Ohrit dhe përmbushjes së rekomandimeve të UNESCO-s, përfshirë edhe bashkëpunimin me Shqipërinë.
Qyra dhe Siljanovska-Davkova u pajtuan se bashkëpunimi institucional në vitet e ardhshme do të jetë i rëndësishëm si për ruajtjen e statusit të rajonit të Ohrit nën UNESCO, ashtu edhe për forcimin e bashkëjetesës në Strugë.






