Strugë, korrik 2025 – Një emër i njohur në botën e biznesit, Mendi Qyra, ka vendosur t’i hyjë garës për postin e kryetarit të Komunës së Strugës si kandidat i pavarur, duke ndezur menjëherë skenën politike lokale. Me përkrahje të fuqishme nga komuniteti i biznesit, qytetarët dhe struktura të shumta politike, Qyra shihet si një prej pretendentëve më seriozë për të udhëhequr qytetin në mandatin e ardhshëm.
Qyra, i cili është kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe një nga investitorët më aktivë në rajon, ka marrë mbështetje të hapur nga koalicioni opozitar VLEN, përfaqësues të sektorit privat, si dhe burime që flasin për përkrahje jozyrtare nga figura të BDI, Aleancës për Shqiptarët, madje edhe nga VMRO-DPMNE.
“Struga ka nevojë për vizion, investime dhe një menaxhim modern. Nuk jam këtu për politikë, jam këtu për punë konkrete,” deklaroi Qyra gjatë paraqitjes publike të kandidaturës së tij.
Ai është autor i disa projekteve transformuese për qytetin, përfshirë Hotel Spa “Ëmbla”, një investim që synon të shndërrojë Strugën në një qendër elitare turistike në Ballkan.
Përgatitjet për fushatën kanë nisur prej javësh, ndërsa anketat e brendshme sugjerojnë një mbështetje të madhe për Qyrën. Ai po shihet si “kandidati i bashkimit” që mund të thyejë ndarjet klasike politike dhe të sjellë Strugës një epokë të re zhvillimi.
Fushata pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, ndërsa zgjedhjet lokale janë planifikuar për vjeshtën e vitit 2025.






