Kryetari i Komunës së Struga, Mendi Qyra, ka bërë të ditur nisjen zyrtare të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në qytet – rrugën Strugë–Morovisht, e njohur si “Kolektori”. Sipas tij, një projekt që kishte mbetur pezull për më shumë se 20 vite, tashmë po merr jetë brenda vetëm 5 muajve të qeverisjes së re. Ky aks i ri rrugor pritet të zgjidhë problemet e kahershme të trafikut dhe kaosit në hyrje të qytetit, duke sjellë një standard të ri të infrastrukturës moderne me katër korsi, trotuare dhe hapësira të gjelbra. Projekti realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe, falë një procesi transparent, nga 2.2 milionë euro të planifikuara fillimisht, do të kushtojë 1.2 milionë euro. Mjetet e kursyera do të ridrejtohen për investime të tjera në dobi të qytetarëve. Rruga do të shtrihet nga rrethrrotullimi te Foni drejt rrugës Turistike (ish-Apolonia), duke u lidhur më tej me Morovishtin. “Struga nuk pret më. Struga punon. Dhe Struga fiton”, ka theksuar Qyra.




