Mbi dy të tretat e qytetarëve mbështesin ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike

Advertisement

Mbi dy të tretat e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut mbështesin masat e propozuara nga Qeveria për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike. Këtë e tregon një hulumtim i realizuar nga MKD.mk, i kryer nga agjencia Market Vision në periudhën 10–27 qershor.

Sipas anketës, në të cilën kanë marrë pjesë 1.200 qytetarë, më shumë se 83 për qind e të anketuarve janë të informuar për propozim-ndryshimet në Ligjin për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme. Vetëm 16,2 për qind janë deklaruar se nuk janë të njohur me ndryshimet e propozuara.

Nga qytetarët që janë të informuar për ndryshimet ligjore, 68 për qind kanë deklaruar se i mbështesin masat e propozuara, ndërsa 28,2 për qind janë shprehur kundër tyre.

Projektligji tashmë ka kaluar leximin e parë në Kuvend. Në vijim pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare, ku mund të paraqiten amendamente, përpara se të rikthehet në seancë plenare për leximin e dytë dhe votimin përfundimtar.

Hulumtimi tregon gjithashtu se shumica e qytetarëve kanë qëndrim negativ edhe ndaj dyqaneve të këmbimit të parave dhe kompanive që ofrojnë kredi të shpejta.

Anketa është realizuar nga 10 deri më 27 qershor me 1.200 të anketuar, në një mostër përfaqësuese sipas gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, rajonit dhe llojit të vendbanimit, bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë rezidente të vitit 2021.

Hulumtimi është kryer me metodën CATI (Computer Assisted Telephone Interview), përkatësisht përmes intervistave telefonike, me një nivel besueshmërie prej 95 për qind dhe margjinë gabimi prej ±3 për qind.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit