Ministria e Arsimit dhe Shkencës po investon rreth 5.5 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Ohër. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë vizitës së saj në gjimnazin “Shën Klimenti i Ohrit”, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov informon Tetovasot.
Janevska informoi se, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe UNDP-së, janë rindërtuar dhe pajisur plotësisht Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Vanço Pitosheski”, si dhe kabinetet dhe punëtoritë për mësim praktik në Qendrën Shkollore Elektromekanike “Shën Naumi i Ohrit”.
Ajo njoftoi se projekti i radhës kapital është rindërtimi i plotë i konviktit shtetëror të studentëve “Nikolla Karev”, investim me vlerë rreth 200 milionë denarë.
Gjatë vizitës në gjimnazin “Shën Klimenti i Ohrit”, delegacioni inspektoi punimet për rindërtimin e çatisë dhe zëvendësimin e dritareve, projekt që realizohet nga Komuna e Ohrit dhe kap vlerën mbi 50 milionë denarë.
Pas shumë vitesh do të zgjidhen problemet me rrjedhjen e çatisë, klasat e ftohta gjatë dimrit dhe temperaturat e larta gjatë verës. Nxënësit dhe mësimdhënësit do të kenë kushte shumë më të mira për mësim dhe punë”, deklaroi Janevska.
Sipas saj, për rindërtimin dhe pajisjen e Qendrës Rajonale për Arsim Profesional janë investuar mbi 120 milionë denarë, ndërsa 19.5 milionë denarë janë investuar për modernizimin e kabineteve dhe punëtorive në shkollën elektromekanike.
Ministrja theksoi se cikli i përgjithshëm i investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Ohër arrin në rreth 340 milionë denarë, ose 5.5 milionë euro.
“Në të kaluarën nuk janë realizuar investime të këtij niveli në arsim. Do të vazhdojmë me përkushtim për modernizimin e sistemit arsimor dhe afrimin e tij me standardet evropiane”, theksoi Janevska.Tetovasot





