VMRO-DPMNE ka njoftuar për një sërë investimesh dhe projektesh në sektorin e shëndetësisë, duke vlerësuar se gjatë dy viteve të fundit janë ndërmarrë hapa për modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore.
Sipas partisë, në Spitalin “8 Shtatori” janë rikonstruktuar blloku operativ, kujdesi intensiv, patologjia, laboratori klinik dhe çatia e objektit.
Gjithashtu, pas më shumë se pesë dekadash është rikonstruktuar dhe vënë në funksion reparti i traumatologjisë në Klinikën Universitare “Shën Naum i Ohrit”, ndërsa në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” janë rikonstruktuar gjashtë salla operative. Sipas njoftimit, në periudhën e ardhshme pritet të vihen në funksion edhe katër salla të tjera.
Në kuadër të investimeve në shërbimet emergjente, qeveria ka nisur prokurimin e 100 automjeteve të reja të ndihmës së shpejtë me pajisje mjekësore, të cilat pritet të shpërndahen në të gjithë vendin.
VMRO-DPMNE njofton edhe për investime në pajisje mjekësore. Në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë janë investuar rreth 110 milionë denarë, prej të cilave 35 milionë për rikonstruksion dhe 75 milionë për pajisje të reja.
Në Spitalin Klinik të Manastirit, sipas partisë, pas më shumë se dy dekadash po zëvendësohen pajisjet e vjetra me aparatura të reja në vlerë prej mbi 30 milionë denarësh. Gjithashtu, janë realizuar 61 punësime me kohë të pacaktuar.
Sa i përket projekteve të reja, në Kërçovë është paralajmëruar ndërtimi i një spitali të ri modern, me vlerë rreth 22.5 milionë euro.
Në Shtip, ndërkaq, pritet të realizohet një projekt i ri klinik në vlerë prej 109 milionë eurosh. Sipas VMRO-DPMNE-së, kompleksi do të përfshijë spitalin klinik, fakultet të mjekësisë, konvikt studentor dhe infrastrukturë moderne shëndetësore.
Nga partia thonë se investimet synojnë përmirësimin e kushteve për pacientët, modernizimin e spitaleve dhe pajisjeve, si dhe krijimin e kushteve më të mira për punonjësit shëndetësorë.






