Gjashtë persona janë ndaluar sot pasdite në disa stacione policore në Shkup për bisedë informative lidhur me mesazhet që janë shpërndarë që nga mbrëmja e kaluar, me pretendimin se në ujin e pijshëm të kryeqytetit është zbuluar bakteri Escherichia coli, raportojnë mediat lokale.
Sipas informacioneve, dy prej personave ndodhen në stacionin policor në Kisella Vodë, ndërsa të tjerët janë dërguar në stacione të tjera policore në Shkup.
Personat janë thirrur në polici pas një denoncimi të bërë nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Në një konferencë për media, Gjorgjievski e ka cilësuar përhapjen e këtyre informacioneve si të organizuar dhe ka thënë se bëhet fjalë për përhapje të dezinformatave që kanë shkaktuar shqetësim dhe panik te qytetarët.
Ai ka paralajmëruar se pret që institucionet kompetente të përcaktojnë përgjegjësinë për përhapjen e këtyre informacioneve.






