Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësitë për futjen e terapive të reja për trajtimin e sëmundjeve të Parkinsonit dhe Alzheimerit në Maqedoni.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në hapjen e panel-diskutimit të mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku neurologë dhe neurokirurgë nga Shkupi dhe Lubjana diskutuan për metodat bashkëkohore të trajtimit.
Në fokus ishin stimulimi i thellë i trurit për pacientët me Parkinson, si dhe terapitë me barnat Lecanemab dhe Donanemab për fazat e hershme të Alzheimerit.
Sipas të dhënave të prezantuara, në sistemin shëndetësor janë të regjistruar rreth 24 mijë persona me demencë, ndërsa rreth 8 mijë qytetarë jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit.
Ministri Klekovski theksoi se futja e këtyre terapive kërkon përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve, ekipe të trajnuara, diagnostikim adekuat dhe ndjekje afatgjatë.
Ai kërkoi që nga diskutimi të dalin rekomandime konkrete për kushtet dhe hapat që duhet të ndërmerren për aplikimin e këtyre trajtimeve në vend.








