30 Prill, 2025 – E mërkurë, në ora 20:00, i ftuar në emisionin Çka s’thuhet me Lisa Alilin, Lulzim Haziri, gazetar, poet dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Do të flasim për funksionimin e medias dhe ndikimin medial tek shoqëria, letërsinë dhe perceptimin e saj, sistemin arsimor dhe aktivizmin.
Lulzim Haziri lindi në vitin 1962, në f. Reçan të Gostivarit. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme teknike i kreu në Gostivar. Studjoi Makinerinë në Fakultetin Teknik të Universitetit të Kosovës.
Gjatë kohës së studimeve, në shtypin e kohës (Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Bota e re, Flaka e vëllazërimit), boton poezi, tregime, kritikë dhe ese për muzikën rock. Përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind në vetmi” e botoi në vitin 1989, në SHB “Rilindja” në Prishtinë. Biografia e tij poetike shënon edhe botimin e librave: “Kur dyert hapen me zile” (1995), SHB “Vatra”, Shkup, “Dalja nga safari” (2005), SHB “Brezi9”, Tetovë, “Vetmi e varur si numër në portë”, përzgjedhje poezishë,(2015), Logos-A, dhe përmbledhjen e fundit poetike “Testament prej mëndafshi” (2019).
Me një bagazh profesional për vite me rradhë ushtron profesionin e gazetarisë dhe ndër të gjitha është edhe aktivist për të drejtat e njeriut.