Shkup, 29 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, priti sot në një vizitë zyrtare ministrin e Punëve të Jashtme të Lituania, Kęstutis Budrys.
Gjatë takimit, të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe të ndërtuara gjatë tre dekadave të fundit dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sektorial, si dhe për vazhdimin e dialogut intensiv ndërmjet dy vendeve.
Mucunski falënderoi Lituaninë për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore ndaj procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Nga ana e tij, Budrys përgëzoi vendin për progresin në reformat dhe theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të mbetet një nga prioritetet kryesore politike.
Ai njoftoi se nga 1 janari, Lituania do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe se politika e zgjerimit do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë mandatit të saj.
“Për një Evropë më të fortë, Bashkimi Evropian duhet të jetë më i madh dhe t’u japë mundësi vendeve që prej kohësh presin të bëhen pjesë e familjes evropiane. Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur dhe Lituania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm procesin tuaj të integrimit”, deklaroi Budrys.
Mucunski theksoi se gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit konkret mes dy vendeve, ndërsa vlerësoi se hapja e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Vilnius përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit dhe komunikimit institucional me Lituaninë.
Ministrat shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet rajonale dhe globale, si dhe për sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, duke riafirmuar angazhimin për koordinim të mëtejshëm në kuadër të NATO dhe organizatave shumëpalëshe. përcjell Zhurnal.mk .





