Pas reagimit të Brukselit për miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, partitë parlamentare thonë se nevojitet një koordinim institucional për të bindur BE-në për ligjin. Artan Abrashi i VV-së thotë se qeveria do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e BE-së, në mënyrë që të sqarohen qëllimi dhe arsyet e miratimit të ligjit për Specialen.
“Besoj se tash do të ketë takime të ndërsjella dhe do të sqarohen pozicionet dhe qëllimi i votimit të këtij ligji te partnerët tanë, BE-ja. Po ashtu, besoj se edhe PDK-ja, si sponsorizuese, mban një pjesë të përgjegjësisë për sqarimin e kësaj iniciative që tashmë është votuar. Uroj të gjejmë një gjuhë të përbashkët për këtë çështje”, deklaroi Artan Abrashi, VV.
Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, mbron të drejtën e Kuvendit për të marrë vendime në ushtrim të përgjegjësive të tij.
“Ne, pa miq dhe aleatë, asnjëherë nuk kemi pasur mundësi që të ecim përpara dhe të arrijmë objektivat e shtetit tonë. Vlerësoj se është e rëndësishme që të kemi një koordinim edhe për Dhomat e Specializuara. Sa i përket ligjit, ka kaluar me më shumë se 80 vota në Kuvendin e Kosovës dhe duhet patjetër që të implementohet”, tha Ariana Musliu Shoshi, PDK.
Deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, vlerëson se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke pasur parasysh zotimet e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara.
“Presidentja e re në detyrë, kryeministri në veçanti, si përfaqësues i forcës kryesore politike, edhe kryetari i Kuvendit, diplomacia parlamentare përmes politikës së jashtme, duhet të kenë një koordinim të mirë… Nuk guxojnë ta cenojnë rrugën e njëdrejtimshme për integrime euroatlantike”, theksoi Lutfi Haziri, LDK.
Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi të papranueshëm ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ajo tha se ndryshimet bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Kosova, më 6 tetor, miratoi Ligjin e ri për Gjykatën Speciale, pas dënimit më 16 shtator të ish-krerëve të UÇK-së nga kjo gjykatë./Alsat.








