Lidhja Shqiptare zgjodhi kryesinë, Elmi Aziri kryetar i Kuvendit, ja emrat e tjerë

Advertisement

Lidhja Shqiptare ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit të partisë, duke ndërmarrë hapa konkretë drejt organizimit të brendshëm dhe fuqizimit të kapaciteteve politike të subjektit.

 

Në këtë mbledhje, me mbështetje absolute të delegatëve, deputeti Elmi Aziri është zgjedhur në postin e Kryetarit të Kuvendit të Lidhjes Shqiptare. Njëkohësisht, Kuvendi ka miratuar përbërjen e re të Kryesisë së partisë, duke përfshirë një ekip me përvojë dhe prurje të reja.

Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë janë:

Elmi Aziri, Driton Nebiu, Izeir Memedi, Naim Bajrami, Ismail Ibishi, Zulfi Adili, Ilire Dauti, Vjollcë Berisha, Adnan Neziri, Berat Jakupi, Artina Qazimi, Arben Zeqiri, Remzi Mehmedi, Tiron Jajaga, Ilirjan Fetahu, Premtime Zylali, Arsim Dalipi, Halit Ferati, Bujar Bajrami dhe Bekim Tateshi.

Nga ky proces u bë e ditur se një pjesë e vendeve në Kryesi do të mbeten vakante për një periudhë kalimtare, me qëllim që ato të plotësohen pas procesit të konsolidimit të strukturave lokale dhe sistemimit të kuadrove të reja që do t’i bashkohen subjektit. Kuvendi po ashtu miratoi vendimin për ristrukturimin e plotë të degëve partiake.

Ziadin Sela: Lidhja Shqiptare nuk bën kompromise me interesat kombëtare

Pjesë e agjendës së mbledhjes ishte edhe analiza e zhvillimeve aktuale politike në vend. Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në fjalën e tij para kuvendarëve, ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën politike, duke e cilësuar atë si degraduese për të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Sela theksoi se Lidhja Shqiptare mbetet e palëkundur në mbrojtjen e Kauzës Kombëtare.

“Lidhja Shqiptare nuk do të pranojë asnjëherë joshjen, nënshtrimin apo kalkulimet për interesa të ngushta personale në dëm të interesave kolektive. Ne do të kundërshtojmë çdo vendim që cenon të drejtat tona, duke ruajtur autonominë dhe integritetin e subjektit tonë politik,” deklaroi Sela.

Me këtë mbledhje, Lidhja Shqiptare konfirmon orientimin e saj për një opozitë konstruktive, por të vendosur, duke paralajmëruar një angazhim intensiv në teren për fuqizimin e bazës së partisë.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit