Shkup, 16 prill Zhurnal.mk – Gjendja e krizës në shtet zgjatet deri më 20 korrik. Kuvendi e miratoi vendim për vazhdimin e saj për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe mundësisë për çrregullim të furnizimit me naftë dhe derivate të naftës. Me këtë mundësohet vazhdimi i masave antikrizë, si ulja e TVSH-së dhe akcizat më të ulëta, të cilat synojnë të mbrojnë standardin jetësor të qytetarëve nga mungesat e mundshme dhe rritja e madhe e çmimeve në pikat e karburantit.
“Gjithsej votuan 80 deputetë, të gjithë votuan “për”, nuk pati as kundër e as të përmbajtur. Konstatoj se Kuvendi e miratoi vendimin për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës”, deklaroi Vesna Bendevska, nënkryetare e Kuvendit.
Deputeti i partisë “E Majta”, Amar Mecinoviq, thotë se shteti duhet të nxjerrë mësime nga krizat dhe të përballet me to si vendet e tjera. Në vend të kësaj, shton ai, ende mungojnë zgjidhjet sistemore.
“Pse nuk ofrojmë zgjidhje sistemore? Së pari për shkak të vullnetit politik të pushtetit, por nuk është vetëm mungesa e vullnetit politik, sepse vetë pushtetet gjatë 25–30 viteve të fundit janë dobësuar nga mekanizmat për ndërhyrje në situata krize në RM. Ne në këtë parlament për 30 vite kemi marrë vendime për privatizime, për zvogëlim të kapaciteteve të shtetit, për pasurimin e individëve dhe drejtpërdrejt për 30 vite, Kuvendi është shndërruar në shërbim për gjenerimin e krizave. Këtu krijohen krizat përmes dobësimit të institucioneve që duhet të përballen me to dhe që nuk i përdorin mekanizmat e ndryshëm të aparatit shtetëror”, tha Amar Mecinoviq, deputet i partisë “E Majta”.
Vendimin e parë për gjendje krize e mori Qeveria, por për shkak të kufizimeve ligjore, këtë herë vendimin e mori Kuvendi.



