Kuvendi do të publikojë një konkurs të ri për anëtar të Këshillit Gjyqësor, ndërsa konkursi paraprak është tërhequr, informoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgjija Sajkoski. anëtari i ri duhet ta zëvendësojë anëtarin aktual Selim Ademi.
“Dua ta informoj Komisionin se kam marrë një njoftim me shkrim nga kryetari i Kuvendit, në të cilin thuhet se në përputhje me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, do të shpallet një konkurs i ri për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë. Propozimi që ishte në Komision është tërhequr dhe do të shkojë me një konkurs të ri”, theksoi Sajkoski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 15 janar theksoi se duhet të përsëritet konkursi për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor të propozuar nga Kuvendi sepse, siç theksoi, ka ligj të ri për Këshillin Gjyqësor.
“Do të duhet t’i pyesni kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Me shumë gjasa janë të mendimit se konkursi duhet të përsëritet sepse tashmë kemi një ligj të ri dhe të gjithë anëtarët do të duhet të zgjidhen sipas ligjit të ri. Por, kjo duhet të vendoset nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet. Ndërkaq, është punë e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Duhet t’i kontaktoni ata. Megjithatë, një moment i rëndësishëm që kemi diskutuar është pikërisht momenti që kemi një Ligj të ri për Këshillin Gjyqësor dhe ai tashmë po ndryshon rregullat e lojës”, tha atëherë Gashi.
Alban Kadriu, inspektor policie nga Tetova, i cili u propozua nga VLEN-i si anëtar i Këshillit Gjyqësor më 11 dhjetor kaloi në Komisionin e Zgjedhjeve dhe Emërimeve, por për shkak të miratimit të ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor u shty zgjedhja e tij në seancën plenare.



