Drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka reaguar ndaj kritikave për përfaqësimin etnik në institucionet shëndetësore në Kumanovë, duke publikuar shifrat e punësimit të shqiptarëve dhe maqedonasve në këto institucione.
Sipas Kurtishit, në Shtëpinë e Shëndetit, Qendrën e Shëndetit Publik dhe Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë janë gjithsej 105 të punësuar maqedonas dhe 61 shqiptarë.
Ai ka paraqitur edhe ndarjen sipas institucioneve:
* Shtëpia e Shëndetit: 36 shqiptarë dhe 6 maqedonas.
* Qendra e Shëndetit Publik: 11 shqiptarë dhe 1 maqedonas.
* Spitali i Përgjithshëm: 14 shqiptarë dhe 98 maqedonas.
Kurtishi ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme pritet punësimi edhe i 15 shqiptarëve, në bazë të një marrëveshjeje politike.
“Para argumenteve të gjithë heshtin, përveç propagandës së lodhur të BDI-së”, ka shkruar Kurtishi, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës.
Ai ka theksuar se VLEN është ende në mandatin e parë qeverisës, i cili nuk ka përfunduar, ndërsa ka kërkuar që para publikimit të akuzave për skandale, të verifikohen shifrat dhe të bëhen llogaritë.








