Kurti: Sot do të marrim vendim të rëndësishëm për procesin në Apel ndaj katërshes së UÇK-së

Advertisement

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do të marrin vendim të rëndësishëm sa i përket çështjes së Apelit për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në një adresim në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se për mbrojtjen e tyre duhet strategji e mirëmenduar.

“Pasnesër bëhet një muaj nga aktgjykimi në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, i cili mbështetet mbi themele të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe nga ajo faktike. Qeveria do të vazhdojë, me mjetet që ka në dispozicion, t’i ndihmojë të akuzuarit në procesin e Apelit. Duhet një strategji e mirë menduar dhe një analizë e thellë, që të veprojmë përpara. Në Apel na duhet suksesi. Sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, ka deklaruar Kurti.

Tutje ka folur edhe për zgjedhjen e presidentes, duke deklaruar se zgjedhja e saj u bë pas shumë përpjekësh.

Ka thënë se pas shumë kohësh, vendi mund të merret me punë e projekte.

“Nga janari i vitit 2025, kur nisi fushata pas përfundimit të mandatit të plotë qeverisës, gjatë gjithë kohës ishim në fushata të pandërprera. Fillimisht kishte bllokadë në Kuvend, pastaj në Qeveri dhe, në fund, te Presidenti. Por, më në fund, kjo nyje u zgjidh. Javën e kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi zgjodhi presidenten e shtatë të Kosovës. Zgjedhja e presidentes shënon përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve. Vendi ynë, pas shumë kohësh, ka kohën dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim, si dhe t’i kthehet arsyes pse ekzistojnë shërbimet ndaj qytetarëve”, ka deklaruar ai.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit