Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar mbi riemërimin e Adrian Krastës, sipas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm, në drejtimin e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
Në njoftimin për media nga Bordi i RTK-së, thuhet se ky emërim vjen pas suksesit të madh që pati festivali i parë i këngës në RTK nën drejtimin e Krastës.
“Organizimi i festivalit të parë u karakterizua me shumë sfida dhe vështirësi, por me përvojën, angazhimin dhe drejtimin e drejtorit të festivalit dhe stafit të angazhuar të RTK-së, u bë e mundur që të realizohet ky projekt i madh kulturor, i cili gjeti mbështetje të madhe edhe nga Ministria e Kulturës”, thuhet në njoftimin e Bordit i RTK-së.
Tutje sipas Bordit, Festivali i vitit të kaluar, i pari i këtij lloji në Kosovë, jo vetëm që magjepsi audiencën, por la gjurmë të pashlyeshme në skenën mbarëkombëtare të muzikës, duke qenë ngjarja më e madhe kulturore në vend.
“Festivali u dha hapësirë artistëve të rinj që përveç përformimit në festival, këngët e tyre transmetohen edhe në të gjitha kanalet e RTK-së. Duke u mbështetur në këtë qëllim, organizim dhe përvojë, edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK premton të jetë edhe më spektakolar, duke ofruar një platformë për artistët aspirantë që të shfaqin talentin dhe krijimtarinë e tyre në një platformë garuese mbarëkombëtare”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se derisa po vazhdojnë këtë udhëtim emocionues, Bordi i RTK-së rikonfirmon përkushtimin e tij për promovimin e diversitetit kulturor, nxitjen e inovacionit artistik dhe promovimin e sferës muzikore të Kosovës.
“Ashtu si në edicionin e parë, Bordi do të jetë mbështetës i fuqishëm dhe do të luajë rol proaktiv në gjithë procesin e punës. RTK së shpejti do të paraqes aplikimin e saj në EBU që kënga fituese ta përfaqësojë Kosovën në Eurovision. Ne jemi optimistë që kënga fituese e festivalit të dytë me radhë do ta përfaqësojë Kosovën në këtë garë ndërkombëtare. Për këtë çështje është punuar në vazhdimësi nga bordi dhe menaxhmenti i RTK-së dhe është arritur të sigurohet përkrahje nga shumë vende, por në anën tjetër ka edhe pengesa të vazhdueshme për shkaqe politike nga disa vende mosnjohëse të Kosovës”, përfundon njoftimi i Bordit të RTK-së.