Qeveria e Kosovës do të koordinojë mbështetjen juridike dhe institucionale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin në procedurat e Apelit në Hagë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar një angazhim më të koordinuar të institucioneve shtetërore për mbështetjen e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot, më 14 tetor, Kurti ka bërë të ditur se do të formohet një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e një strategjie shtetërore për procedurat e Apelit.
Grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë, me qëllim koordinimin e mbështetjes juridike dhe institucionale për katër ish-krerët e UÇK-së.
Kurti ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë të përdorë mjetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur ata në procesin e Apelit. Ai e ka cilësuar aktgjykimin e shkallës së parë si të padrejtë dhe ka shprehur pritjen që, sipas tij, kjo padrejtësi të korrigjohet në shkallën e dytë.
“Në Apel na duhet suksesi”, ka deklaruar Kurti, duke theksuar se për këtë nevojitet një strategji e mirëmenduar, analizë e plotë e aktgjykimit dhe bashkëpunim që tejkalon dallimet partiake.
Sipas tij, hapi i parë është analizimi i hollësishëm i aktgjykimit në formën e tij të plotë, në mënyrë që të përcaktohen veprimet e mëtejshme.
Vendimi synon të krijojë një qasje më të organizuar shtetërore dhe kombëtare për mbështetjen e katër ish-krerëve të UÇK-së gjatë procedurave të Apelit në Hagë.








