Kurti dhe Sorensen bisedojnë për integrimet evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën mbrëma me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka biseduar për integrimet evropiane.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kurtit, në darkën e punës u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Sorensen, që qëndroi shkurt në Prishtinë, ende nuk është deklaruar për këtë takim.

“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat, pavarësisht se shteti ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022, por aplikimi ende nuk është shqyrtuar nga institucionet evropiane.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet kusht i BE-së për të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit kosovar nuk u dhanë detaje të tjera nga ky takim, por u tha se Kurti dhe Sorensen po ashtu diskutuan edhe për aktualitetin politik dhe zhvillimet e brendshme.

Emisari Sorensen para se të qëndronte në Prishtinë, kishte vizituar Beogradin më 9 prill, ku zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai deklaroi se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Përgjatë viteve, palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Po ashtu, që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim në nivel të udhëheqësve. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua në shtator të atij viti, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit