Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për trysninë e madhe që po ushtrohet nga Beogradi mbi serbët e Kosovës, duke theksuar se kjo situatë është alarmuese dhe e dëshmuar edhe përmes ankesave të vetë qytetarëve.
Kurti tha se, Serbia po ushtron presion që serbët e Kosovës të mbështesin Listën Serbe dhe asnjë subjekt tjetër politik, duke përdorur forma të ndryshme ndikimi dhe shantazhi.
“Unë besoj që fjala e ministrit për Komunitete dhe Kthim në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës Kosovës mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet mbi serbët e Kosovës nga Beogradi, që patjetër ta votojnë Listën Serbe dhe askënd tjetër, dhe masat që po i ndërmerr Serbia duke i përcjellë edhe rrjetet sociale të secilit zyrtar shtetëror, të secilës figurë publike, të secilit politikan serb që ndonjëherë ndokund ka garuar, me të vërtetë janë alarmuese”, tha ai.
Sipas tij, ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella në vitet e fundit dhe se presioni nga Beogradi nuk ka qenë më i madh se tani gjatë mandatit të tij si kryeministër.
“Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi zyrtar mbi serbët e Kosovës, e kemi të dëshmuar prej vetë ankesave të serbëve të Kosovës. Ky është një fenomen i cili ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vitet prej se unë jam kryeministër. Pra, kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, frikësime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose të çfarëdo mbështetje që ata kanë marrë nga Serbia ndonjëherë, me kushtëzimin që të rreshtohen, thuajse bëhet fjalë për ushtri në kohë të luftës, në radhët e Listës Serbe”, shtoi ai.
Kurti po ashtu tha se Serbia synon krijimin e dualizmave shtetërorë brenda territorit të Kosovës.
“Në anën tjetër, ju e dini që Serbia mundohet që vazhdimisht të ketë elementet e saj, nëpërmjet së cilës dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë të Republikës, sa i përket funksionimit të institucioneve, sa i përket shërbimeve publike, dhe natyrisht që ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur”, deklaroi ai.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës funksionojnë në bazë të ndarjes së pushteteve dhe se Qeveria mbështet plotësisht gjyqësorin dhe prokurorinë në zbatimin e ligjit, pa dallim etnie.
“Republika Demokratike dhe Parlamentare e Kosovës, si shtet sovran, i ka të ndara pushtetet. Ne jemi ekzekutivi, fatkeqësisht legjislativi nuk është funksional për shkak se do të kemi zgjedhje, por gjyqësori dhe prokuroria vendosin dhe veprojnë në mënyrë të pavarur, por ato e kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për çfarëdo që nevojitet për ta mbrojtur sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë, pa dallim. Kjo nuk ka të bëjë me etninë e asnjë qytetari që ndalohet, kjo ka të bëjë me dyshimet mbi veprimet e tyre”, nënvizoi Kurti.





