Kujtim Spahivogli, regjisori, aktori dhe dramaturgu i ndëshkuar nga regjimi komunist

Advertisement

Më 7 korrik të vitit 1987 u nda nga jeta regjisori Kujtim Spahivogli, emrin e të cilit sot e mban Teatri Kombëtar Eksperimental.

Në vazhdën e ndëshkimeve që përfshinë pjesëmarrësit në Festivalin e 11-të, u dënuan edhe një grup shkrimtarësh, mes tyre dhe dramaturgu Spahivogli, me akuzën e “shfaqjeve te huaja”. Kjo bëri që Spahivogli, të vlerësohej për mjeshtërinë e tij regjisoriale, vetëm pas vdekjes, kur iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Kujtim Spahivogli (1932-1987) ishte një prej studentëve që studiuan në Moskë. Ai u emërua aktor në Teatrin Popullor, ku interpretoi role të ndryshme në dramën “Orët e Kremlinit” dhe në tragjedinë “Hamleti”.

Më tej, u shqua si regjisor dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, duke vënë në skenë pjesë të njohura, sikurse ishin “I Çuditshmi” dhe “Karnavalet e Korçës”.

Spahivogli ishte krijues dhe drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mesin e krijimeve të tij, veçohet për nga suksesi i menjëhershëm drama “Një shok i klasës sonë”. Gjithashtu, Spahivogli lëvroi në poezi dhe në publicistikë.

Regjimi e largoi nga Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar), ku kishte punuar si regjisor dhe aktor, duke e shkarkuar edhe nga detyra e pedagogut në Instituti i Lartë i Arteve. Akuza për “shfaqje të ndikimeve të huaja e liberalizëm” solli veçimin e tij dhe dërgimin në punë krahu./atsh/KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit