Sot u mbajt mbledhja e Këshillit Lokal për Preventivë (KLP) në komunën e Gostivar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet lokale dhe qendrore. Në fokus të takimit ishin dy çështje kryesore që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve: dhuna në familje dhe problemi me qentë endacakë.
Gjatë diskutimeve u theksua se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës në familje mbeten keqpërdorimi i alkoolit, bixhozi dhe përdorimi i lëndëve narkotike. U theksua gjithashtu se në shumicën e rasteve viktima janë gratë. Komuna e Gostivarit tashmë ka funksionale një Qendër për trajtimin e viktimave të dhunës në familje, ndërsa u diskutua edhe për forcimin e masave parandaluese dhe mekanizmave mbrojtës.
Në mbledhje u trajtua edhe problemi i qenve të pastrehë, i cili u vlerësua si çështje me përmasa më të gjera që kërkon zgjidhje në nivel rajonal ose shtetëror. U bë e ditur se është në zhvillim iniciativa për hapjen e një strehimoreje rajonale në kuadër të rajonit të Pollogut, për të cilën pritet bashkëpunimi edhe nga komunat e tjera. U theksua se bartja e qenve nga një qytet në tjetrin dhe mungesa e kapaciteteve lokale e vështirësojnë menaxhimin efektiv të situatës pa një strategji të unifikuar rajonale ose shtetërore.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të përbashkët për parandalimin dhe zgjidhjen e këtyre sfidave që prekin qytetarët.



