Mungesa e parave cash dhe dëmtimi i infrastrukturës bankare po e vështirësojnë ndjeshëm kryerjen e transaksioneve të përditshme në Rripin e Gazës.
Sipas Autoritetit Monetar Palestinez, i cili mbikëqyr sistemin bankar, sulmet izraelite kanë dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 50 degë bankash në të gjithë Gazën, si dhe dhjetëra bankomate. Sasi të mëdha parash kanë mbetur gjithashtu të bllokuara në kasafortat e bankave të dëmtuara ose të shkatërruara.
Për shumë banorë, problemi nuk është vetëm mungesa e parave, por edhe vështirësia për të përdorur kartëmonedhat që kanë në dispozicion. Shumë prej tyre janë të vjetra ose të dëmtuara dhe refuzohen nga tregtarët.
Firas Zaqloul, banor i lagjes Sheikh Radwan në qytetin e Gazës, thotë se karta e tij palestineze e identitetit ka mbetur nën rrënojat e shtëpisë së tij, e cila u shkatërrua gjatë luftës. Për këtë arsye, ai pretendon se nuk ka mundur të hapë llogari bankare apo portofol elektronik dhe është detyruar të përdorë para cash.
“Vuaj çdo ditë kur dua të blej diçka”, tha Zaqloul, duke treguar se disa tregtarë nuk pranojnë kartëmonedha të dëmtuara.
Edhe palestinezë të tjerë janë përballur me vështirësi të ngjashme. Studentja 23-vjeçare Israa Najm tha se shpesh duhet të presë që nëna e saj t’i transferojë paratë te shitësi përmes telefonit, pasi dokumenti i identitetit që ka marrë gjatë luftës nuk pranohet nga bankat.
Sipas saj, ndërprerjet e internetit e komplikojnë më tej procesin e pagesave.
Mungesa e infrastrukturës dhe kalimi gjithnjë e më i madh drejt pagesave elektronike ka krijuar edhe probleme për personat që nuk kanë telefona të përshtatshëm ose qasje të rregullt në internet. Disa tregtarë preferojnë transfertat përmes shërbimeve celulare, të cilat konfirmohen me SMS.
Ndërkohë, disa dyqane që ofrojnë internet falas janë kthyer në pika ku mblidhen shitës dhe blerës, të cilët kanë nevojë për lidhje të qëndrueshme interneti për të kryer pagesat.
Rreth 370 fëmijë palestinezë në qendrat izraelite të paraburgimit
Rreth 370 fëmijë palestinezë vijojnë të mbahen në qendrat izraelite të paraburgimit, sipas një raporti të Qendrës Palestineze për Avokatinë e të Burgosurve.
Sipas raportit, shumica e tyre mbahen në burgjet Megiddo dhe Ofer, në mesin e më shumë se 9 400 të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë.
Raporti pretendon se ndalimi i fëmijëve palestinezë është bërë praktikë e përsëritur gjatë arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalem. Sipas të njëjtit burim, 276 fëmijë janë ndaluar nga forcat izraelite gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.
Raporti gjithashtu thekson se vazhdon përdorimi i ndalimit administrativ, pa akuzë apo gjyq.
Mijëra pacientë në Gaza presin evakuimin mjekësor
Ndërkohë, mijëra pacientë në Rripin e Gazës vazhdojnë të presin evakuimin mjekësor, ndërsa shumë prej tyre kanë nevojë për trajtim urgjent jashtë enklavës.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se gjatë javës së kaluar OBSH-ja ka ndihmuar në evakuimin e 106 pacientëve, përfshirë 19 fëmijë, përmes pikave kufitare Rafah dhe Kerem Shalom. Pacientët janë shoqëruar nga 132 persona.
Sipas Tedros, që nga tetori 2023 gjithsej 13 237 pacientë, përfshirë 6 276 fëmijë, janë evakuuar nga Gaza, së bashku me 16 406 shoqërues.
Ai bëri thirrje për qasje të qëndrueshme dhe përdorimin e disa pikave kufitare për të mundësuar evakuimet dhe trajtimin në kohë të pacientëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, më shumë se 1 300 palestinezë janë vrarë dhe mbi 4 000 janë plagosur. Që nga tetori 2023, sipas të njëjtit burim, numri i viktimave ka kaluar 73 400, ndërsa i të plagosurve 174 400.






