Era Berisha
Një pëshpëritje e lëvizjeve që gdhend rrëqethet në trupat njerëzorë dhe një vulosje emocionesh ndodh brenda qenies njerëzore kur përjetohet një balet i veçantë që shpalos një histori, një tregim apo ndjenjë. Nën petkun e këtij arti madhështor qëndron një balerin dhe koreograf i cili skenën e pushton me krijime teksa edhe hija e tij bëhet një me skenën. Bëhet fjalë për Blenard Azizajn, balerini dhe koreografi shqiptar që sfidon gravitetin e vallëzon me një hijeshi të bukur. Krahët e tij shndërrohen në mullinj të erës teksa në atmosferë lëshohet një balet, ritmi i të cilit shkakton të dridhura nga koka e deri në pjesën e poshtme të këmbëve. Jehonat e rrahjeve të zemrës dëgjohen qartazi kur jetësohet brishtësia emocionale dhe estetike e krijimeve të Azizajt. Nëse supozojmë që shpirti qëndron gjithmonë në heshtje, atëherë tek baletet e Azizajt, shpirti del në pah, përkulet, përshpejtohet, çlirohet njëlloj si lëshimi i një pllake muzikore në gramafon.
Baleti është himni i voshtrës që rritet brenda njeriut. Hiri i saj transformon mishin dhe shpirtin njëlloj. Ata që ia kushtojnë trupin e tyre kësaj forme të artit, kanë përballë një fushëbetejë ku balancimi i disiplinës, teknikës dhe emocionit duhet të jetë i vizatuar me precizitet. Kufizime nuk duhet të ketë, as edhe në ëndrra. Gllabërimi i këtij arti duhet të bëhet qysh në fillim e më pastaj pasojnë edhe netët e pafundme me dhimbje nga piruetet e shumta, tendosjet e muskujve e thurjet e tregimeve. Por, kësisoj bëhet shpalosja e një gjuhe përtej fjalëve që mbështjellët në mëndafshin e limiteve.
Koreografi Blenard Azizaj ka një fëmijëri të cilën e ka dorëzuar brenda dhomave të praktikës me një përkushtim për përsosmëri. Pjekuria e tij reflekton në rimet e tij. Në çdo plié, çdo kërcim, ai mban prejardhjen e tij duke lënë një gjurmë në historinë e baletit shqiptar. Ky zanat për të është diçka që kërkon gjithçka nga ai, mirëpo ai i dhuron ato pa asnjë mëdyshje.
Nga sporti, ai kaloi te kërcimi, fillimisht si autodidakt, duke zbuluar çdo hap e çdo ritëm përmes përjetimit personal, pa rregulla e pa kufij. Edhe pas studimeve, ai ende e quan veten autodidakt. Për të, arti nuk është diçka që mësohet plotësisht nëpër shkolla; është diçka që lind, që vjen nga brenda me një forcë të papritur, si një fllad që shndërrohet në stuhi brenda shpirtit. Çdo lëvizje që krijon, ai dëshiron që të bëhet një dëshmi e ndjenjave që e përshkojnë, një udhëtim që e çon gjithnjë e më afër thelbit të tij të vërtetë.
Të nisesh drejt një rruge e cila kërkon që në moshë të re të mbjellësh farat e qëllimit në tokën e butë të rinisë, është diçka e vështirë, megjithatë, arrihet nëpërmjet një qetësie në të cilën hidhen zaret e fatit. Themeli qëndron tek pafajësia dhe e atillë ka qenë edhe historia e koreografit Azizaj. Kur ai shkoi për herë të parë në Shkollën Shtetërore Kombëtare të Kërcimit në Greqi, ka ndjerë një përzierje emocionesh – një lloj drite dhe peshë që e ka mbuluar atë tërësisht.
“Ishte sikur të hyja në një botë të re, një vend ku ëndrrat dhe sfidat bashkëjetonin, ku çdo hap do të ishte një provë dhe një mësim për shpirtin tim. Ishte ndjenja e një fillimi të madh, një udhëtim që e dija se do të më ndryshonte përgjithmonë. Këmbët e mia e ndien tokën ndryshe atë ditë, si të thirreshin për një qëllim më të lartë – një ftesë për të zbuluar kufijtë e artit dhe të vetes sime”, thotë ai.
Ai i dha të gjitha provimet dhe u pranua në atë që quhej Seksioni Përgatitor. Më pas, u bë emigrant ligjor, mori dokumentet dhe vizën studentore. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm, por thellë brenda vetes, ai ende nuk po e kuptonte plotësisht çfarë po ndodhte me të.
“Kohët ishin të ashpra, të egra. Nuk kisha një punë të përhershme, as një shtëpi ku të gjeja prehje; netët i kaloja në shkolla kërcimi dhe teatro, nën ritmet e një përkushtimi që nuk më linte të flija. Punët që gjeja teksa studioja, ishin të vështira: kamarier, barman, çdo gjë që mund të më siguronte gjërat bazike. Gjumi ishte i pakët, lodhja – pafund. Kishte çaste kur ndihesha i thyer, sikur çdo barrë e lodhje nuk mund të përballohej më. Vështirësitë ishin të pafundme, si dallgë që vinin pa pushim”, shpalos ai.
Në këto vite të hershme, pasioni i gjen rrënjët, ndërsa koha bëhet edhe mësuese edhe shoqëruese e heshtur. Udhëtimi kërkon durim – si të ushqesh një flakë që duhet kujdesur që të mos lëkundet shumë shpejt ose të digjet shumë shpejt. Andaj, Shkolla Shtetërore e Kërcimit dhe jeta brenda saj, i dhuruan atij një mësim të çmuar, një lidhje të thellë me artin e kërcimit dhe me ritmin që buronte brenda tij. Çdo profesor ishte një burim mësimesh për të. Ai i respektonte të gjithë, pa kurrfarë kritike; thjesht punonte dhe punonte. Dhe, çuditërisht, këto vështirësi për të ishin një lloj bukurie në vetvete.
Shkolla i dhuroi atij një forcë, dhe ai, deri më sot, akoma mbetet një vëzhgues.
“Është një art më vete të dish të vëzhgosh; kërkon liri dhe një lidhje të thellë me të vërtetën e jetës. Arti i vëzhgimit dhe i dëgjimit janë të bukur dhe një formë e jetës vetë. Ky art i vëzhgimit më ndihmoi shumë në Shkollën Shtetërore të Kërcimit. Ky vend, këta njerëz, artistë, kanë diçka të veçantë që të bën të jesh, më i ndjeshëm, përmes përballjes me të vërteta të ndryshme. Më vonë, fillova të bëja disa punë të vogla, si shfaqje televizive, që më ndihmonin financiarisht. Njerëzit që takova më ndihmuan secili në mënyrën e vet. Për secilin prej tyre, ruaj një “faleminderit” të madh në zemër. Për shumë kohe isha i shpërndarë, pa një bazë, pa një strehë ku të ndihesha i sigurt. Shtëpia ime e vërtetë erdhi shumë më vonë, pas viteve të tëra”, tregon Azizaj.