Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Lajmin e ka konfirmuar për RTKLive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se mbledhja e radhës e Komisionit do të mbahet sot në orën 11:00, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare.
“Të shtunën në orën 11:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, ka deklaruar Elezi.
Shpallja e rezultateve vjen pasi Gjykata Supreme gjatë së premtes hodhi poshtë ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërim të plotë të votave të partisë së tyre.
Me vendimin e Supremes është përmbyllur procesi i ankesave, duke i hapur rrugë KQZ-së që të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.





